Joe Biden e siguron përkrahjen e Klobucharit dhe O’Rourkes

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Kur kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri në fillimin e votimeve në të ashtuquajturën “Super e Marta”, krahu i të moderuarve i Partisë Demokratike po përpiqet që të bashkohet si një grup i ish-kandidatëve për ta përkrahur kandidatin Joe Biden. Një gjë të tillë e bënë ish-kandidatët Beto O’Rourke dhe Amy Klobuchar.

Disa orë para vendimit të tyre për ta përkrahur ish-nënpresidentin amerikan në garën brenda partisë, të njëjtën gjë e bëri edhe ish-kandidati Pete Buttigieg, i cili para një dite u tërhoq zyrtarisht nga gara.

Dita e martë është shumë e rëndësishme për garën në Partinë Demokratike, sepse sot votohet në 14 shtete. Kështu, kandidatët i kanë më shumë se 1300 delegatë që do të ndahen varësisht nga përkrahja që ofrohet nga votuesit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Bernie Sanders e gëzon një epërsi të konsiderueshme ndaj Biden-it dhe Warren-it në Kaliforni, por gara në Teksas është shumë më e ngushtë, bashkë me Karolinën Veriore dhe Virgjinian, ku anketat tregojnë se kandidati Joe Bidene ka një epërsi të vogël.

Vendimi i momentit të fundit i ish-kandidatëve Klobuchar dhe Buttigieg për t’u larguar nga gara shton dilema të reja, ndërsa përkrahja që ata ia ofruan Biden-it vlerësohet si ndihmë e madhe për të në fazën e ardhshme të përballjes me rivalët.

Të ngjashme