Arsenali duket se më në fund do ta kompensojë dështimin e transferimit të Cristiano Ronaldos para shumë vjetësh. Bëhet e ditur se ekipi anglez është i gatshëm për të paguar 50 milionë euro dëmshpërblim për të siguruar shërbimet e një talenti gjatë kësaj vere. Bëhet fjalë për 17-vjeçarin, Joelson Fernandes, i cili në Portugali vlerësohet si “Cristiano Ronaldo i ardhshëm”, shkruan “The Sun”.
Dhe, duket se oferta joshëse e Arsenalit ka bindur drejtuesit e Sportingut të Lisbonës, që tashmë kanë refuzuar ofertat nga Barcelona dhe Juventusi për Fernandesin. Këtë muaj, Fernandesi e theu rekordin shumëvjeçar të Cristiano Ronaldos të Sportingut, duke u bërë lojtari më i ri që ka debutuar për ekipin e parë portugez. Ai u inkuadrua në fund të pjesëlojës së dytë në ndeshjen kampionale kundër Gil Vicentes.
Zhvillimi i tij i shpejtë si lojtar dhe driblimet e jashtëzakonshme kanë bërë që Fernandesi të krahasohet me Ronaldon. Ngjashëm si Ronaldo, Fernandesi luan si sulmues krahu dhe përfundimisht adoleshentit portugez po i parashikohet një e ardhme e ndritur. Përgjatë viteve, Sportingu ka prodhuar disa prej sulmuesve më të mirë të krahut të futbollit botëror. Krahas Ronaldos, prej akademisë së Sportingut kanë dalë edhe Luis Figo, Luis Nani e Ricardo Quaresma, që gjithashtu kanë shkëlqyer me fanellën e Përfaqësueses së Portugalisë. Kështu që, bazuar në presionin dhe pritjet që i kanë të gjithë për Fernandesin, ai pritet të shkojë hapave të lojtarëve të lartpërmendur. Ndoshta, edhe t’i tejkalojë ata duke pasur parasysh shpërthimin e tij të hershëm.
“Është e vërtetë që krahasimi me lojtarët madhështorë, si Ronaldo, Figo, Nani e Quaresma më jep presion shtesë mua për të shkëlqyer dhe vazhduar rrugën e tyre. Unë mundohem t’i marrë të gjithë këta lojtarë si shembuj dhe në çdo ndeshje përpiqem të jap gjithçka nga vetja. Po ashtu, edhe punoj shumë për të arritur diçka në karrierën time”, është shprehur Fernandesi për mediumet portugeze.