Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, po e shqyrton mundësinë e kërkimit të zgjedhjeve të reja, nëse deputetët që po e kundërshtojnë Brexit-in pa marrëveshje do ta mposhtin me vota qeverinë e tij këtë javë.
BBC-ja mëson se në qeverinë britanike janë duke u zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta lidhur me kërkesën që mund t’i dorëzohet kuvendit për miratimin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Redaktorja politike, Laura Kuenssberg, thotë se ky vendim mund të merret këtë të mërkurën, por nga qeveria ende nuk është ndërmarrë ndonjë masë zyrtare për këtë çështje.
Ish-ministrat e Partisë Konservatore i kanë bashkuar forcat me Partinë Laburiste për ta parandaluar largimin e Britanisë së Madhe pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.
Në kohën e shtimit të spekulimeve për mundësinë e zgjedhjeve të reja, kryeministri Johnson ka vendosur ta thërrasë një takim të paplanifikuar me kabinetin e tij qeveritar të hënën në orën 17 sipas kohës lokale. Ai më vonë do të mbajë fjalim edhe para deputetëve konservatorë.