Senatori amerikan, Ron Johnson i cili sot po qëndron për vizitë në Maqedoni ka treguar se e vetmja mundësi e integrimit të Maqedonisë në NATO është arritja e një marrëveshje për emrin me Greqinë.
“Është e rëndësisë së veçantë për Maqedoninë dhe Greqinë ta zgjidhin çështjen e emrit. Kemi dy lider të guximshëm, dy kryeministra të cilët u gjetën në pozitë të rëndë. Ne sigurisht duam ta mbështesim zgjidhjen e këtij problemi dhe kjo është mënyra e vetme që Maqedonia të hyjë në NATO. Ajo është shumë e rëndësishme për rajonin e Ballkanit dhe Maqedonisë”, ka deklaruar Johnson.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga qytetarët që të mos anashkalojnë referendumin që do të mbahet më 30 shtator.
“ I inkurajojmë të gjithë qytetarët të dalin të votojnë në referendum, pa dallim nëse pajtohen apo jo me marrëveshjen, patjetër të dilni dhe të votoni dhe t’ju tregoni liderëve të juaj çfarë ndjeni. Është tejet e rëndësishme të dilni dhe të votoni. Ne jemi këtu që të ju mbështesim dhe t’i inkurajojmë qytetarëve të Maqedonisë për një referendum të suksesshëm”, ka shtuar senatori amerikan.
Para Maqedonisë Johnson ka vizituar edhe Greqinë kurse sot në vizitën në Shkup ai ka takuar edhe kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi.
Maqedoninë një ditë më parë e ka vizituar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.