Joseph komenton fotografitë e shefit të CIA te Kurti: Mesazhet e tij konsistente me ato të Ambasadorit Hovenier

Prishtinë | 24 Gus 2024 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Profesori amerikan, Edward Joseph, i cili komenton zhvillimet në rajon, ka komentuar pamjet që dolën nga takimi i kryeministrit Albin Kurti me drejtorin e CIA’s., William Burns, të premten.

Ai tha se vendi ku është ulur ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në krahun e djathtë të Burns, si dhe pamja që e shfaq atë duke marrë shënime mund të tregojë se mesazhet që Burns ia ka dhënë Kurtit kanë qenë konsistente me ato që i ka transmetuar Hovenier.

“Asnjë prej nesh që nuk ishim në dhomë [takim] nuk e dimë çfarë mesazhi saktësisht ka sjellë Burns, por nëse e shikoni fotografitë e takimit mund të shihni që pranë Burns në anën e djathtë të tij është i ulur ambasadori Hovenier dhe nëse e shikoni në fotografi e shihni ambasadorin që merr shënime. Pra, ne mund të supozojmë që drejtori i CIA’s Burns ishte duke transmetuar mesazhet që duhet të ishin konsistente me ato që ka transmetuar ambasadori Hovenier sepse e shihni në fotografi, e shihni Burns e shihni Kurtin dhe pastaj në krahun e djathtë të Burns e shihni ambasadorin Hovenier. Andaj, mund të paramendojmë që Burns do të transmetojë mesazhe të ngjashme te kryeministri Kurti që janë në konsistencë me qëndrimet e ambasadorit Hovenier. Dhe ndoshta mund të transmetojë që Burns ndoshta ka informata dhe do të flasë për kërcënime potenciale për sigurinë në rajon. Ndoshta disa prej tyre mund të jenë nga Rusia, ndoshta po ashtu mund të flasë për potencialin e konfrontimit. Natyrisht, Serbia dhe Rusia do të mund ta mirëprisnin, për shembull, në veri të Kosovës që është pjesë e Republikës së Kosovës”, tha Joseph për mediumin publik.

Ai tha se vetëm mund të imagjinohet se çfarë ka mundur të jetë se cila ka qenë pika kryesore, duke përsëritur se “Burns do të jepte mesazhet që janë konsistente me ato të ambasadorit”.

Hovenier ditë më parë ka shprehur shqetësimet e tij se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për të hapur Urën e Ibrit për qarkullim të veturave.

Ai kishte thënë se me këto veprime në këtë do të mund të rrezikohej jeta e ushtarëve të KFOR-it dhe ajo e qytetarëve.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan në një intervistë për REL.

Hovenier kishte thënë se ishin sfiduar nga Qeveria Kurti dhe se “cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.

“Mund të them vetëm se nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra”.

Këto deklarata Hovenier i përsëriti edhe në një konferencë dy ditë para se Burns të vinte në Prishtinë.

Të ngjashme