Jovanoviq paralajmëron “plan të qartë” për Kosovën dhe Koalicion për Paqe

Prishtinë | 24 Kor 2018 | 12:59 | Nga

Kryetari i Partisë Liberal-Demokratike (LDP), Çedomir Jovanoviq, ka paralajmëruar sot se pas rundit të ri të dialogut midis Beogradit e Prishtinës, në shtator, do të paraqesë plan të qartë për marrëveshje me shqiptarët dhe do të formojë Koalicionin për Paqe, që do të kontribuojë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, raporton agjencia serbe e lajmeve Beta, transmeton Koha.net.

Jovanoviq ka thënë se kompromisi me shqiptarët paraqet mbylljen e pikës së fundit në rajon që do të mund të shkaktonte luftë të dhe prandaj takimi i presidentëve të Serbisë e të Kosovës, Aleksandar Vuçiqit dhe Hashim Thaçit në shtator, në Bruksel, është me rëndësi dhe se prej tij varet rrjedha e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

“LDP do të reagojë pas atyre bisedimeve me një plan të qartë në themelet e të cilit duhet të ngrihet forca politike që do të luftojë për marrëveshje dhe paqe me shqiptarët e Kosovës dhe prandaj në Koalicionin për Paqe, që planifikojmë ta organizojmë, duhet të mbledhim atë pjesë të opinionit që e kupton momentin në të cilin ndodhet Serbia dhe nuk dëshiron të lëshojë edhe një shans duke u zhytur në polarizime partiake dhe konflikte të brendshme”, ka thënë Jovanoviq.

Sipas tij, Vuçiq “me një këmbë qëndron në rrugën e zgjidhjes së problemit”, kurse me tjetrën në politiken e cila është e paqëndrueshme, dhe e ka këshilluar se nuk mundet në të njëjtën kohë të mbështesë qeverinë e Ramush Haradinjat në Prishtinë, ndërsa në Beograd të bëjë fushatë që shemb marrëdhëniet me shqiptarët, transmeton Koha.net.

Jovanoviq ka thënë se Serbia aktualisht ndodhet nën presion të fuqishëm dhe për këtë arsye po zvarrite zgjidhja e çështjes së Kosovës. Siç është shprehur ai, presionet vijnë nga opinioni nacionalist, organizatat që vijnë nga Rusia, kisha dhe pjesë të opozitës “e cila ofron rrëzimin e Vuçiqit me temën e Kosovës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme