Mbrëmë e humba koncertin e Fatime Kosumit “Andrra” në Prishtinë, që më thanë të ketë qenë një nga koncertet më të mira të mbajtura së fundmi në kryeqytet. Ajo ka përpunuar këngët e vjetra që tregojnë se në deri çfarë shkalle bizare është shkelur njeriu vetëm pse ka qenë çikë apo djalë dhe deri në çfarë shkalle poetike e melodike i është kënduar asaj pabarazie.
Dhe, duke qenë se një nga arsyejet pse e kam humbur koncertin është fakti se kam qenë i zënë duke u marrë me listat zgjedhore të partive tona.
E, vendosa që t’ia bëjë një “check-in” barazisë gjinore, me të cilën, kohëve të fundit na e kanë proklamuar thuajse gati e arritëm një “parajsë të barazisë”.
Por të dhënat, të marra nga listat e publikuara nga dy koalicione të mëdha dhe një parti tjetër e madhe opozitare, më kanë bërë pishman pse nuk shkova në koncert, ku së paku do të mund të nxirrja një rrëfim, sigurt shumë më të mirë sesa ky:
Ju mund të bëni me qindra premtime gjatë këtij 20 ditshi të mbetur mbi barazinë gjinore, flisni sa të doni, por renditja e listave për kandidatëve në Kuvendin e Kosovës tregon më miri se si e shihni raportin tuaj prej burrave me gruan, femrën, nënën, motrën, apo cilindo epitet tjetër koti që keni vendosur t’i jepni qytetarëve të këtij vendi.
Njësoj sikur në tregimet e këngëve të kanagjegjeve ku i thuret elozhe shtypjes së femrës që martohet me vendimin e një gjinie tjetër, të cilat Fatime Kosumi i ka sjellë në formën më rebeluese të cilën ju e meritoni t’ua hedhim fytyrës, ashtu është edhe tregimi juaj për barazinë në listat e juaja për t’i zgjedhur si përfaqësues tanë.
Fillimisht, të tri grupacionet politike, pa ia vrarë syrin as Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e as të ndonjë syri monitorues, i vendosni qytetarët e këtij vendi që kandidojnë për deputetë në numra të specifikuar. Thuajse ne jemi numra, numra të cilët na takojnë eksuzivisht në bazë gjinisë.
Të dy koalicionet e mëdha PDK-AKR-NISMA, LDK-AKR dhe VETEVENDOSJA, kanë nga 33 kandidatë gra.
Thua, ky është numri me me fat i caktuar për qytetarët e këtij vendi që i takojnë një gjinie.
Njësoj sikurse që ishte numri i grave fatlume që merrnin pjesë në kanagjegjin ose “kerret e grave” që shkonin ta merrnin një tjetër “nuse” e cila është e llogaritur të jetë e “derës së huaj”.
E dyta, përsëri ju të tria, keni lënë numra specifik që u takojnë grave.
Saktësisht, përpos në dy përjashtime brenda të tria listave, gratë janë të vendosura si “çdo e treta”.
Në secilën listë që përbëhet nga 110 kandidatë, nga numri 99 deri në 110 janë burra. Pra lista 11 të fundit, pasi është arritur numri 33 i një gjinie, janë të përcaktuara për mbetjet e gjinisë tjetër.
Me demek numri i grave u mbush
E kjo tregon shumë për logjikën e këtij sistemi që nuk e lejon barazinë, sepse e futë në kornizë qysh në fillim. E cakton tërë strukturën që do të na përfaqësojë, duke u ndarë në gjini.
Duke ua garantuar të drejtën, apo duke ua dhënë mundësinë për pushtet, bazuar në gjini.
Në këtë rast, të ju dëgjojmë që të flisni mbi strategjitë tuaja, mbi konceptet se si e doni ju barazinë gjinore sesi doni ta qoni përpara edhe heqjen e “30 për qindëshit” apo çfarëdo tjetër ideje “kreative” që do të ju bjen ndërmend “ditë e natë” gjatë fushatës, është e kotë dhe e pamundur që të realizohet.
Sepse problemi është qysh në start. Me kë dëshironi t’i bëni këto ndryshime? Kur ju edhe mundësinë për të kandiduar në postin që duhet t’i iniciojë e votojë në Kuvend e keni të ndarë, bazuar në gjini?
Si rezultat i këtyre listave, i kësaj renditjeje do të kemi një Kuvend që do të vazhdojë të prodhojë të njëjtë idiotë të cilët do ta vazhdojnë këtë traditë të mentalitetit sesi të “luftohet për barazinë gjinore”.
Ju nuk mund ta bëni këtë dhe rrjedhimisht nuk keni të drejtë të flisni sesi do ta arrini këtë sepse nëse mund ta shpjegojmë në formë poetike (njësojë sikur këngët me defa) ju vazhdoni të mendoni se martesa e Palinës është e drejtë, vazhdoni të shkoni nëpër kanagjegjet e shumë Palinave e madje edhe i këndoni atyre.