Juncker: Brexit është një tragjedi

Prishtinë | 05 Maj 2017 | 17:02 | Nga

Kryetari i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker, ka thënë se ndarja (Brexit) e Britanisë nga Bashkimi Evropian (BE) nuk është ngjarje e vogël, por një tragjedi, raporton Anadolu Agency (AA).

Hapja e serisë së konferencave “The State of the Union” që organizohet nga Instituti i Universitetit Evropian në Itali me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës në qytetin e Firencës në Itali, këtë vit ka filluar me fjalime të liderëve të BE-së.

Kryetari i KE-së Juncer, në fjalën e tij në ditën e parë të konferencës, ka theksuar se Brexit nuk duhet perceptuar në mënyrë joserioze. “Brexit është një tragjedi, jo një ngjarje e vogël. Largimi i miqve tanë britanikë nga BE-ja është tragjedi”, ka theksuar Juncker.

Juncker ka thënë se BE-ja nuk e ka “braktisur” Britaninë, por Britania ka vendosur të “braktisë” BE-në, duke shtuar se efektet e këtij vendimi do të ndihen me kohë.

Sipas Juncker, faktorë në marrjen e vendimit Brexit nga ana e Britanisë kanë qenë edhe disa anë “të dobëta” të BE-së. “Kohë pas kohe, BE-ja ka shpërfillur disa gabime pasi që është frikuar nga të vërtetat”, ka thënë Juncker.

Ai më tej është shprehur se Evropa është kontinent i vogël kur krahasohet me disa shtete të mëdha të rajonit, siç është Rusia. Juncker ka shtuar se megjithëse BE-ja nuk i ka mundësitë për zgjidhjen e të gjitha problemeve, nuk duhet lejuar që ajo të ndahet tutje.

“Me Brexitin po humbin forcën dhe ndikimin ekonomik. BE ka prodhim të brendshëm bruto global prej 25 përqind, mirëpo ky nivel kjo do të jetë 15 përqind pas dhjetë viteve”, ka vënë në dukje Juncker.

Juncker ka folur edhe për krizën e migrimit të parregullt, me ç’rast ka lavdëruar Italinë, pasi, siç është shprehur ai, “Italia po ruan dinjitetin e Evropës në Mesdhe”.

Duke folur për mosmarrëveshjet mes shteteve anëtare të BE-së në lidhje krizën e migrantëve, shefi i KE-së ka thënë se brenda BE-së ka mungesë serioze të solidarizimit.

“Disa shtete anëtare nuk kanë respektuar thirrjen e KE-së për solidarizim në lidhje me refugjatët. Rregullat duhet respektuar. Nëse nuk i respektojmë rregullat, të gjithë humbasim”, theksoi Juncker, duke shtuar se mospranimi i refugjatëve vetëm pse nuk janë katolikë është në kundërshtim me natyrën e Evropës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme