Cristiano Ronaldo pushtoi ballinat e gazetave në Itali fundjavën e kaluar, pasi shënoi golin e 5000-të të Juventusit në Serie A. Ai shënoi nga penalltia në derbin lokal kundër Torinos, të fituar nga Juve me rezultat 1:0.
Me këtë ai dhe skuadra e tij vazhduan të shfaqin formën që po i karakterizon këtë stinor. E këtë formë synojnë edhe ndaj Romës, të cilën e presin të shtunën mbrëma (20:30) në Torino. Ndeshja i takon xhiros së 17-të të kampionatit italian.
Ekipi i Massimiliano Allegrit ka regjistruar startin më të mirë në Serie A, me 15 fitore dhe një barazim, duke iu bashkuar Manchester Cityt (2017/18), Barcelonës (2012/13) dhe Tottenhamit (1960/61) me nismën më të mirë në pesë ligat më të forta të Evropës.
Juventusi në pesë ndeshjet e fundit kampionale ka luajtur në udhëtim ndaj Milanit, Fiorentinës e Torinos dhe ka pritur Interin e SPAL-in. I ka fituar të gjitha ndeshjet dhe nuk ka pranuar asnjë gol, duke hapëruar sigurt drejt titullit të tetë rresht.
“Teknikisht, Roma është një skuadër shumë e mirë. Së bashku me Juventusin janë ekipet e vetme nga Italia që kanë mbetur në Ligën e Kampionëve. Roma nuk e meriton pozitën aktuale në tabelë, kështu që do të jetë një ndeshje shumë e fortë”, ka thënë trajneri i Juventusit, Allegri. “Nuk guxojmë ta nënçmojmë në asnjë mënyrë, sepse kjo mund të na kushtojë shtrenjtë. Synimi ynë është që pjesën e parë të këtij edicioni ta mbyllim pa humbje. Deri në fund të këtij viti i kemi edhe tri ndeshje të tjera që duam t’i fitojmë”.