Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, do t’i ketë në dispozicion Federico Chiesan dhe Weston McKennien për ndeshjen e madhe kundër Interit.
Il Corriere dello Sport shkruan se Paulo Dybala dhe Matthijs de Ligt sigurt nuk do të jenë në ndeshje kundër Nerazzurrëve, por Pirlo shpreson të marrë lajme të mira në lidhje me Alex Sandro dhe Juan Cuadrado.
Këta të fundit dolën pozitivë me coronavirus, por Zonja e Vjetër shpreson t’i ketë ata për ndeshjen kundër Interit.
Të dy do t’i nënshtrohen testeve të nevojshme mjekësore për të parë nëse mund të dalin nga izolimi dhe të bashkohen përsëri me grupin.
Nga ana tjetër, gazeta pretendon se McKennie dhe Chiesa janë në dispozicion për të luajtur kundër Interit.
Amerikani është rikuperuar nga një problem muskulor, ndërsa ish-lojtari i Fiorentinas i është dhënë pushimi i mjaftueshëm për t’u rikthyer në aksion pas një dëmtimi në kyçin e këmbës që pësoi kundër Sassuolo.