Ka humbur Albin Kurti, nuk kanë humbur kandidatët e tij nëpër komuna

Prishtinë | 24 Tet 2021 | 14:19 | Nga Kimete Berisha

Ajo nuk banon më këtu!

  • Nuk di çfarë të raportoj për punën time.
    Sepse aty ku punoj, ma kanë shtré zullumin, jam e përjashtuar nga çdo proces.

Nuk e di pse. Unë bëj dritë. Nuk e di pse e urrejnë dritën.
Në Institucionin ku unë punoj, më duket vetja si rebele shqiptare në perandorinë osmane, ku një osmanli e diskriminon dhe e izolon më të ‘bukurën e Dardanisë’!

  • Prandaj, meqenëse punën ma kanë marrë, një ditë i fshiva dritaret e zyrës, që nuk pastrohen kurrë.
    Kam dëshmitarë që më kanë parë me mini fund dhe shtiklla kacavarur e hipur në parmakun e dritareve, si zonjë.

Gjithmonë e pastroj tavolinën time dhe dritaret e zyres.
Do t’i raportoj kryeministrit për angazhimin tim maksimal në pastrimin preciz të xhamave që po ju shkon vetëtimë, sa me përkushtim i kam
larë.

  • Unë jam më e mira, por nuk më do kush.
    Bile edhe njëri që dikur më ka dashur, nga zemërimi ndaj meje ia kish vë një kafshës (po m’vjen inat me tregu cilës) emrin tim.
  • Duke luftuar monstrumet, gjatë procesit të luftës mund të bëhesh edhe vet montrum.

Për këtë rrezik na e ka tërhequr vërejtjen Nietzsche.
Prandaj, ndoshta jam bërë monstrum
duke shkruar keq për monstrumët.

  • Dikush e përmendi tradhtinë?
    Unë e pyeta: a quhet tradhti kur e tradhton tradhtarin!
    Tha: po, sepse gjithkush jep përgjegjësi për tradhtitë e veta.

Unë mendoj se secilit duhet t’ia japësh medicinën e tij dhe ta rrahësh me armët e veta.

Se s’ke pse bëhesh i mirë me të keqin. ‘
‘Mos i gjuaj xhevahirët para derrave’- na këshillon Bibla.
Sepse, derrat nuk ia dinë vlerën xhevahirëve, prandaj i hanë ose i shkelin me këmbë!

  • Shpeshherë e zë veten duke mëkatuar me mendime.
    Dhe e premtja më së shumti më shtyn në gjynahe. Për shembull, të xhumanë që shkoi, e pyeta një shoqe:

A thua, pse Komandatja që e bashkon popullin, kurrë nuk i bashkon këmbët e veta.
Ajo më tha, nuk mundet se ‘i kuhen’.
Pastaj, e përmendi pavlloviqin.
Shumë jam e poshtër nganjëherë.

  • Unë i kisha mbyll të gjitha ëmbëltoret.
    Janë dyqane ku shitet lumturia prej sheqeri.
    Sheqeri ta shkatërron ADN-në, që do të thotë se pa e humbur identitetin, pa t’u gërryer ashti, nuk mund të jesh i lumtur.

Pastaj më ra në mend që është ditë e xhuma, dhe iu luta Zotit të më fal.

  • Nganjëherë kam qejf të vdes.
    Ama ky qejf më zgjat shkurt.
  • Teki Dërvishi, i cili ma ka mësuar zanatin e shkrimit, më ka thënë ‘Ti je Jusuf Gërvalla-femër’.

Ata kanë qenë shokë të ngushtë, dhe Tekiu tregonte se si Jusufi qante lehtë, qeshte shumë, këndonte, ishte lirik, ishte shok besnik, ishte i ndjeshëm, i donte njerëzit, ishte i guximshëm dhe i sinqertë.

Por si duket as Tekiu s’më ka njohur mirë.

Tekiu m’u kujtua kur u takova me ministren e jashtme në një ashensor hoteli në Tiranë, dhe nuk u përshëndeta me të.

E kam votuar por nuk i them mirëmbrëma.
Kaq e vendosur jam unë.

  • Albert Cammy më së bukuri e ka përshkruar lirinë
    Jam i lirë, prandaj jam i humbur.

Dhe kështu, krejt rastësisht, më 20
Tetor 2021, e humba rrugën në Tiranë. Rruga e humbur më çoi te Baba Mondi. Pa pritur dhe pa u kujtuar.

Desha ta takoja.
Më ka marrë malli të takohem
me një plak asket që nuk do asgjë në jetë, dhe më dikë që nuk më fton në kafe.

  • Dhe, kur në teqe e ndeza një qiri, për herë të parë nga një grua e kuptova se kur e ndez qiririn nuk bën ta huazosh flakën nga qirinjtë tjerë, por duhet ta ndezësh me shkrepëse druri.

Aty e kuptova se vazhdimisht jam lutur gabimisht. Gjithmonë e kam huazuar flakën e qieirit nga flaka e huaj.

Prandaj, deri sot, asnjë lutje imja nuk u pranua nga Zoti.

  • S’kam lënë feje pa ju lutur!
    Dhe pak më duken këto fe!
  • Doja ta takoja Baba Mondin.
    Ai i ka sytë e thellë si të Oshos.
    Doja ta takoja dikë që s’më njeh, që s’më lexon dhe që më duket më ‘i vetmuar’ se vetja.

Dhe e takova. I thashë:
‘Kam një ndjesi se jam vetëm’.
Babai më tha: Jo nuk je vetëm. Ku është një, janë dy, ku janë dy-janë katër…se Zoti i do të gjithë, nuk e do dikë e dikë tjetër jo.

M’u duk u qetēsova për një çast.
Ama gjithmonë më ndodh që për vetminë time ankohem te vetmitarët: te Nëna Terezë, te prifti ik i dashur Dom Shan Zefi, te Baba Mondi e të tjerê.

  • Babai na përcolli deri te dera me urimet më të mira për paqe.

Kur jam në paqe më merr gjumi.
Nuk jam mësuar me paqe.
Se kur je në paqe nuk ke energji të vuash dhe të krijosh.
Paqa është dorëzim.
Kur dorëzohesh, s’ke
më energji.
Për të vuajtur duhet energji e madhe. Duhet të jesh i shëndosh që të vuash.
Zoti ta çon shnetën, në mënyrë që të jesh i aftë të vuash rrast.

  • Prandaj, kurrë mos u frikëso nga vdekja, sepse lodhja nga jeta ta shlyen frikën. S’mund të jesh edhe i lodhur-edhe i frikësuar. Se për të qenë i frikësuar-duhet të jesh i shëndoshë.

E kam provuar. Kur të terrohen sytë, as vetja s’të dhimbset, lëre më të tjerët, s’të dhimbset vetja, sepse s’ke energji.

  • Albin Kurti duket sikur prifti m’u bë hoxhë, ose
    hoxha-prift. Pra, duket inkompetent, që s’ka lidhje me punën e tij,

Ka humbur shumë vota. Dhe kjo më jep vullnet për jetë. Të frymëzohesh nga humbja e dikujt, po që është kjo monstruoze!

Nuk kanë humbur kandidatët e tij nëpër komuna, ka humbur Albin Kurti.

  • Kjo çeta fantome e Albin Kurtit të prejnë n’besë. Kanë filluar t’i rrahin edhe të vetët. E kishin rrah dajak një djalë të vetin, djalë shumë i mirë nga Podujeva, për shkak të një statusi në Facebook. Ai djalë është i urtë, i ditur dhe modest. Babën e ka plak. Prandaj, sa herë shkelen jetimët, të pakrahët, pleqtë, vajzat e ndershme dhe njerëzit e urtë, e lypi Sami Lushtakun e Ramush Haradinajn, ku janë e ku s’janë. A kish guxu dikush m’i rreh fëmijët e tyre!
  • Unë e ftoj atë djalin e Vetëvendosjes nga Llapi të mos pranoj dajak për Albin Kurtin. Se Vetëvendosja është si kisha ortodokse serbe ku popëy i rrahin rebelët me kamzhik për t’ua hequr djallin nga trupi.
  • Kush është i punësuar – frikësohet mos po e largojnë nga puna.
    Kush është i papunë – s’ka shpresë që do të gjej punë.
    Të gjithë po ikin.

E kam para vetes një grua që ju kanë bërë djemtë për ushtarë – kurse qe 20 vjet lyp për vete një punë e nuk e gjen!

  • Ju s’besoni, por unë jam e pafajshme!
    Po më bëjnë zullum, shumë zullum, por asgjë nuk ndjej.
    Veç isha zhdukur pak, me ditë që s’ju lë keq (se nuk krijohet çiftja ime lehtë).

Ne, populli i Albin Kurtit, jemi të varfër, kurse dikush nga Banka Botërore po gënjen se si ne kemi rritje ekonomike.
Tregoni Bankës Botërore, se ne populli i Albin Kurtit edhe teshat i blejmë në ‘Second hand’, plus edhe në ‘Second hand’, presim zbritje 70%.

P.S. Kimetja, e askujt!

Të ngjashme