Çmimi i derivateve është ngritur mjaft shumë javëve të fundit në Kosovë. Krahasuar me dy muajt paraprak, çmimi i derivateve është rritur për 08 cent. Aktualisht në vend çmimi për litër, i derivate varion nga 1.11 deri në 1.22 cent për naftë dhe 1.15 deri në 1.22 për benzinë. Përderisa në qershor të këtij viti çmimet për naftë varionin nga 1.03 deri në 1.12 cent kurse për Benzine 1.07 deri në 1.13 cent.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani i ka thënë gazetës Republika 24 se ngritja e çmimeve në gjithë botën reflekton edhe në Kosovë, megjithëse siç ka thënë ai, qytetarët e Kosovës shërbehen me çmimet më të ulëta të derivateve në rajon.
“Çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese OPEC. Rritjet në tregjet botërore dhe në berzë po reflektojnë edhe në tregun e Kosovës. Por, qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke u shërby me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila e ka akcizën më të ulët të dizelit për 22 cent”, ka thënë ai.
Berjani ka thënë se aktualisht cmimet për litër, të derivateve në Kosovë varionë nga 1.11 deri në 1.22 cent.
“Sa i përket çmimit të derivateve, sot sillen përafërsisht Dizeli 1.11 deri 1.20, Benzina 1.15 deri 1.22. Ndërsa në Shqipëri, Dizeli shkon deri 1.42 cent, kurse Benzina 1.43 cent”, ka thënë ai për Republika24.
Ndryshe nga Berjani,, kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve, Selatin Kaçaniku potencoi se ka ngritje të çmimeve të derivateve në vend. Ai për këtë rritje e fajëson Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
“Realisht dhe faktikisht, për fat të keq ka ngritje çmimesh të karburanteve. Për fatin tonë edhe më të keq, shteti, nëpërmes institucioneve, asociacioneve, agjencioneve dhe mekanizmave tjera që ka, është “sponsor” i rritjes së çmimeve të karburanteve. Natyrisht se “argat” i Qeverisë në ngritjen e çmimeve, jo vetëm të karburanteve, është MINT, e cila nuk merret fare me qytetarin konsumator taksapagues ani pse e ka në mandat, ani pse brenda saj është infrastruktura e cilësisë, ani pse aty, siç po e dëshmon edhe ky rast, ndodhë konflikt interesi, pasi në MINT funksionojnë Departamenti, Zyra dhe Këshilli për mbrojtjen e qytetarit konsumator, por që “nuk guxojnë të ndihen të gjallë”, ka deklaruar Kacaniku, për Republika 24.
Tutje ai ka thënë se përderisa në gjithë botën ka ulje të çmimit në Kosovë nuk ndodhë kjo.
“Çështja e çmimeve varet nga politikat socio-ekonomike të secilit shtet. Është monopol i shtetit dhe dallon po ashtu shteti prej shtetit. Nëpërmes akcizës, taksave, tatimeve, e që të gjithat i paguan qytetari konsumator taksapagues, mbushet arka e Shtetit. Nëse kemi parasysh faktin se Republika e Kosovës ka Buxhet konsumues – atëherë çdo gjë është më se e qartë. Institucionet, të cilat akoma nuk munden dhe nuk dijnë të bëjnë buxhet gjenerues, kryekëput varen nga buxheti konsumues, pra nga qytetari konsumator taksapagues. Në Berzën Botërore çmimi i naftës ka rënë në 43 ER/cent, ndërsa te ne është katërfishi i çmimit. Po të funksinonin institucionet, agjencionet, rregullatorët, mekanizmat përkatës, natyrisht se çmimi i derivateve do të duhej të ulej”, tha ai.
Kacaniku i tha gazetës Republika 24 se Kosova i ka çmimet më të ulëta se në Shqipëri, por më të larta se në Maqedoninë e veriut dhe në disa vende të tjera të rajonit.
“Pra, në rrethanat si kjo, del se Kosova është mes shteteve që më së shumti merr nga karburantet. Në Rajon, në Gadishllin Ilirk, Republika e Kosovës i ka çmimet e karburanteve më të lira se në Shqipëri, më të shtrenjta se në Maqedoninë V. dhe më të larta se në disa shtete tjera në Rajon. Ndërkaq, nëse flasim për cilësinë dhe sasinë e deklaruar për 1 litër, atëherë del se cilësia dhe sasia në Kosovë është tejet e diskutueshme, ankesat tona kurrë nuk janë marrë e trajtuar me seriozitetin e duhur dhe ky fakt e bën karburantin në Kosovë edhe më të shtrenjtë”, përfundoi Kacaniku.