Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është e gatshme që nëse dështon koalicioni VV-LDK, të bisedojë për ndonjë mundësi tjetër për ta nxjerr vendin nga bllokada.
Nënkryetarja dhe njëherësh deputete e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se do të presin afatet Kushtetuese dhe në rast të dështimit të Vetëvendosjes për ta bërë qeverinë do të diskutojnë në organet e partisë për hapat që duhen ndërmarr.
‘’Ne po presim afatet prej 15 ditësh sipas afateve Kushtetuese dhe pastaj në rast të dështimit, sigurisht që si Aleancë asnjëherë nuk kemi pasur mungesë të vullnetit të kontribuojmë për interes të vendit kemi marrë përgjegjësi për tema të mëdha jashtëzakonisht të rëndësishme dhe do të ulemi e të diskutojmë dhe do të marrim vendimet e duhura’’, tha ajo.
Kadaj-Bujupi që për një kohë kishte kaluar në Vetëvendosje thotë se mandatari nuk po e ka guximin të marrë përgjegjësi për të udhëhequr me vendin. Andaj kërkon që e njëjta të këshojë rrugë për marrëveshje të reja, pasi që sipas saj vendi rrezikon të bllokohet.
“Siç po shihet mandatari nuk po e ka guximin që të marrë përgjegjësi për të udhëhequr me vendin në këtë kohë kur na presin procese të vështira dhe sidomos çështja e dialogut me Serbinë. Të gjitha këtij na sjellin para një situate kur besoj që deri në konsumimin e afateve Kushtetuese do të duhet të merrnim një përgjigje të qartë. Nëse nuk ka vullnet, guxim dhe ka frikë për të marrë përgjegjësi përkundër numrit të madh të votave të cilat i kanë marrë nga votuesit për ndryshim, atëherë duhet të lëshojnë rrugë dhe të japin mundësi që të kemi edhe marrëveshje të reja përmes së cilave do ta nxjerrim vendin nga kriza, pra themelimi i krizës është i papranueshëm’’, tha ajo.
“Po presim që dy partitë të dalin më rezultate përfundimtare dhe do shohim se cilat do të jenë ato, varësisht prej situatave aleanca do të jetë në rolin e saj, pra për të përkrahur themelimin e institucioneve të vendit dhe për të ecur tutje në proceset që na presin’’, tha ajo.
Deputetja e AAK-së thotë se pavarësisht që janë të gatshëm për zgjedhje të reja, nuk preferon një gjë të tillë, pasi që do të shpenzoheshin miliona euro dhe do të përmbysej vullneti qytetar.
“Për dallim prej subjekteve të tjera ne vazhdojmë të udhëheqim me 7 komuna në Republikën e Kosovës dhe besojmë se do të jemi në procesin e rregullt dhe konsiderojmë që qytetarët kanë folur më 6 tetor dhe është e padrejtë dhe e pandershme që të shpenzojmë para shtesë miliona euro për të shkuar në zgjedhje të reja dhe të kërkojmë nga qytetarët që përsëri të japin qëndrime të tyre. Pra si Aleancë konsiderojmë që prioritet është implementimi i rezultatit të 6 tetorit’’, tha ajo.
Kadaj-Bujupi: Vonesat po lidhen puro me karrige
Vonesat për formimin e institucioneve të reja po i konsideron si shumë të dëmshme dhe kjo bëhet edhe me tragjike, kur lidhen “puro me karrige”.
“Realisht vonesat e shkaktuara në themelimin e institucioneve të reja janë jashtëzakonisht të dëmshëm për Republikën e Kosovës, sidomos kur kemi parasysh se këto vonesa po ndodhin jo në mungesë të numrave ose në mungesë të ndonjë mospajtimi parimeve ose pikave të tjera të cilat eventualisht do të lidheshin me interesat e qytetarëve ose politikat zhvillimore të vendit, por po lidhen puro me karrige”.
“Pra me interesa të ngushta personale dhe partiake dhe kjo sigurisht që edhe njëherë e zbehë atë shpresën e qytetarëve pas reklamimit se kjo do të jetë qeveri e ndryshimit dhe institucionet do të themelohen për 72 orë. Tashmë zvarritja po shkakton përveçse zhgënjim por edhe humbje të mëdha në kuptimin e funksionalizimin e shtetit dhe ecjes përpara. E kemi edhe buxhetin, po rrezikohen pagat dhe mbi të gjitha po krijohet një precedan për shkak të interesave të ngushta të disa individëve brenda subjekteve politike pas deklaratave shumica e deputetëve janë të interesuar që ecet përpara”, thotë ajo për EO.
Deklaratat ofenduese të të dyja taborëve kundrejt njëra-tjetrës, Kadaj-Bujupi po i vlerëson si shumë të dëmshme dhe të cilat i kontribuojnë acarimit të marrëdhënieve dhe largimit të arritjes së marrëveshjes.
“Nuk ka parti politike të cilat dallojnë në kuptimin ideologjik por edhe në të gjitha kuptimet e tjera ndërmjet VV-LDK. Të gjitha këto gjuajtje fjalësh, keqkuptimesh, fyerje reciproke të cilat po ndodhin nga ana e dy subjekteve, të cilat do të duhej të bashkëqeverisin në një të ardhme të afërt, sikur të zbeheshin shpresat që mund të ndodhë por edhe nëse ndodh nuk po shihet që do të ketë konstruktivitet, besim dhe mirëkuptim. Dy aleatë potencial do të duhej të kishin një diskurs krejt tjetër, në mënyrë që ata të cilët e proklamuan gjatë fushatës zgjedhore, pra implementim të politikave të caktuara të cilat do të sjellin ndryshim në vend të fillojë të jetësohet.
“Prej asaj që po shohim ka pasur edhe lëndime të mëdha në këtë proces dhe nuk po shihet që ka një mirëbesim që të arrihet marrëveshja. Sidoqoftë si Aleancë konsiderojmë që vendit i duhet institucione të reja s amë parë. Në këtë fazë, meqë është proklamuar edhe para zgjedhjeve që do të ketë një koalicion në mes të VV dhe LDK, dhe votat i morën në emër të atij koalicioni, i cili po shihet që ende s’ka ndodhur. Ne si opozitë do të luajmë rolin tonë opozitar do të kërkojmë llogari dhe përgjegjësi për të gjitha ato votime të cilat i kanë marrë votat dhe të cilat po shihen se kanë qenë mashtrim”, thotë ajo.
Kadaj-Bujupi: Ftesa e Kurtit për ndërhyrjen e QUINT-it, cenim i sovranitetit të vendit
E kërkesën e Albin Kurtit që të ketë ndërhyrje të vendeve të QUINT-it në procesin dialogues për formimin e qeverisë, ajo po e vlerëson si cenim të sovranitetit të vendit.
“Shqetësim i joni i madh është që javën e fundit është cenuar sovraniteti i vendit për shkak se i mandatari për kryeministër ka kërkuar ndërhyrjen ndërkombëtare që të themelohen institucionet e reja. Kjo tregon ligësi, pafuqi dhe një prapakthim. Kosova tani më nuk është protektorat. Ne kemi një histori të bërjes së institucioneve dhe duhet të ecim përpara, të përmirësojmë politikat në vendin tonë dhe jo të nënshtrohemi dhe të degradojmë siç ka ndodhur në javën e fundit’’, tha ajo.
Deputetja Kadaj-Bujupi thotë se një qeveri mund të jetë efikase vetëm nëse e ka shumicën në Kuvend, ndërsa shton se AAK-ja do të luajë një rol konstruktiv opozitar.
“Qeveria mund të funksionojë si e tillë vetëm nëse ka shumicën, mirëpo nëse nuk i kanë shumicën atëherë nuk mund t’i themelojnë institucionet e reja dhe nuk mund të presin që do të kenë votën e opozitës për të formuar institucionet dhe kur ju merrni përgjegjësi si mandatar dhe në një të ardhme, nëse arrini që të bëheni kryeministër në rend të parë duhet të kenë votat në parlament”.
“Ne do të kemi rolin tonë opozitar, nga veprimet e fundit shohim se është shumë papjekuri politike dhe vota jonë nuk mund të shkojë për njerëz të cilët ende pa filluar punën, po shfaqin frikë dhe mungesë për të marrë përgjegjësi për atë që e kanë votuar qytetarët’’, thotë ajo.