Ligji për kontrollin e duhanit, i miratuar qe pesë vjet, nuk ka gjetur zbatim të mjaftueshëm në terren. Monitoruesit e zbatimit të ligjit kanë thënë se dy vjetët e parë efektet e tij kanë qenë të kënaqshme, ndërsa më pas numri i shkeljeve është rritur dukshëm. Problemet, sipas tyre, shfaqen më shumë në shërbimet hoteliere.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Inspektorati Shëndetësor ka shqiptuar dënime për institucionet shëndetësore në vlerë prej 16 mijë e 500 eurosh, duke dënuar 13 menaxherë të institucioneve dhe katër institucione shëndetësore në dënime në vlera prej 500 deri në 3 mijë euro, shkruan Koha Ditore.
Deri në maj të vitit 2018, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dënimet nga Inspektorati Shëndetësor për këtë ligj kanë qenë 3 mijë euro.
Inspektorati Sanitar që është në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUVK), në periudhën 2013-2017 ka kryer 6.322 inspektime dhe ka shqiptuar rreth 500 dënime për subjektet në vlera prej 500-3000 eurosh dhe mbi 200 dënime mandatarë në vlera prej 50 eurosh.