Kadri Veseli – bashkëdyzim i ideales dhe reales-Pjesa e dytë

Prishtinë | 27 Mar 2017 | 12:44 | Nga Bahri Bivolaku

Pjesa e dytë e rrëfimit të Vexhi Halilit, ish luftëtar i lirisë

“Kosovës vërtetë i janë grumbulluar një varg problemesh të cilat po tentojnë t’ia marrin të ardhmen. Konsideroj që në skenë fuqishëm duhet të paraqitet lideri, ai djaloshi që njoha në vitet e vështira, me vizionin e guximin si virtytin mbi të tjerët për të ndërmarrë veprimet e duhura në kohën e duhur.” – Vexhi Halili

Ish-ushtari i UÇK-së, kukësiani Vexhi Halili, tregon se si në vitin 1991 për herë të parë kalon kufirin shqiptaro–shqiptarë, ku nga fshati Morinë në Kukës, kalon për t’i vizituar dajtë e babës, në Vermicë të Prizrenit. “Ishim afër dyqind metra në largësi ajrore dhe si i ri e kisha të pakuptimtë ndalesën mes shqiptarëve.” Ai në atë rast kapet nga policia kufitare serbe ku dërgohet në Prizren në paraburgim për tre ditë, ku merret në pyetje nga inspektorët policorë të asaj kohe. “Kalova jo shumë keq në këto ndalesa në Prizren, por është e veçantë se personi që atëherë më intervistoi, pata rastin që në vitin 1999, ta intervistojë unë atë.” Ai tregon për peripecitë që kishte me organet e rendit pas këtij rasti, e veçanërisht nga drejtuesi i rrethit të komisariatit policor të Kukësit Bajram Bashkurti, i cili e prangos duke e pyetur me cinizëm: “Ku ke qenë mbrëmë?” “’Në Shqipëri!’ – ia ktheva unë. Ai pastaj më tha se Prizreni është i Serbisë. Më lidhën e më paraburgosën për ditë të tëra, por si duket era e ndryshimeve po vinte dhe me hetuesin (Paulini) kalova më lehtë edhe pse ai më thoshte se kjo vepër e imja konsiderohej si tradhëti ndaj atdheut, e cila dënohej më se paku 15 vite. Meqë hetuesi ishte moshatar i imi, jam i pari i akuzuar për atë vepër, jo i prangosur.” Ai kujton ngjarjen e asaj kohe duke kërkuar gjykim publik, por pa u thyer dhe pas disa ditësh lirohet, pasiqë presidenti i vendit Ramiz Alia, kishte dekretuar një ligj ku hiqej vepra penale e tradhëtisë, nëse kishte të bënte me kalimin ilegal të kufirit. Ai thotë se këtë ngjarje të tij e ka biseduar me veprimtarin e asaj kohe, Kadri Veselin, në Tiranë, e i cili e kishte këshilluar për veprime të matura, duke i thënë se koha ka fshehur apo mbuluar një ndërprerje të vënë padrejtësisht në identitetin tonë natyrorë. Vexhi tregon se Veseli më shokët e veprimtarive atdhetare, në kalimet e shpeshta të atij kufiri, ndalej në shtëpinë e tij për të pushuar, pastaj tek familja Hoxha e familja Jaku. “Tek në vitet 1994 – 1995 më ka treguar konkretisht për lëvizjen që po krijohet në brendi të Kosovës. Në vitin 1996 më qartësoi çdo gjë, duke më thënë se jemi organizatë për çlirimin e Kosovës dhe atje shumë shpejt do të hyjmë në luftë, bashkë me ty.” – thotë Vexhi. Ai edhe sot entuziazmohet kur kujton gjithë ato lëvizje të Veselit e bashkëluftëtarëve, atyre bjeshkëve. “Kishim shumë vullnet, guxim, por edhe besim të madh se po punojmë për lirinë e vendit dhe vërtetë ne zyrtarët e shtetit shqiptarë, s’kishim si mos t’u ndihmonim, pasi qartë e kuptova se liria është mirazhi nga ku gjendet shkaku i lëvizjes së tyre.

“Vexhi, përgatitu se nesër hyjmë bashkë në Kosovë”

“Më 6 tetor të vitit 1998, me Kadriun si zakonisht u takuam në Kukës, në shtëpinë time, para se ai ta kalonte kufirin dhe më thotë: ‘Vexhi, përgatitu, sepse shpejt, bashkë më shumë shokë do të hyjmë në Kosovë!’ Më vonë, pikërisht me datën 5 nëntor, prapë u takuam në banesën time, por tash kërkesa ishte shumë konkrete. ‘Nesër po nisemi!’ Veseli atë ditë kishte planifikuar të bisedojë edhe me dy oficerë të tjerë të anës sonë, por njëri nuk i’u përgjigj ftesës. Unë fillova të përgatisë terrenin dhe thirra në telefon kolegun e punës Besnik Bashën, duke e ftuar për një bisedë” – tregon Vexhi. Ai thotë ta ketë njoftuar kolegun për vendimin e tij për të hyrë në luftë në Kosovë. “Ka qenë personi i vetëm që ka ditur për këtë gjë dhe i thashë se nëse vritem, i tregon familjes dhe miqve.” Vexhi asokohe kishte bashkëshorten dhe dy fëmijët, 3 dhe 5 vjeçarë, të cilëve më anë të një letre u kishte thënë se po shkonte në Durrës për një trajnim. Ish-inspektori i Shërbimit Informativ Kombëtar, në vitet 1992 – 1998, Vexhi Halili, tregon se qëllimi i hyrjes së tij në Kosovë ishte që pranë shtabit të përgjithshëm të UÇK-së të ngrihet kriptoanaliza. Ai duke vazhduar së rrëfyeri tregon për nisjen e grupit për të hyrë në Kosovë. “Te baza e Cahanit u veshëm me rroba ushtarake, ku na kanë përcjellë me lotë në sy Azem Syla e Xheladin Gashi.”
Vexhi Halili sot është profesor universiteti dhe është person jo i angazhuar në jetën ushtarake, të sigurisë apo politikës. Ai për rrëfimet e tija thotë se i bënë me një arsye fare të thjeshtë: “Mendoj se kontributi i madh i Veselit për lirinë e vendit, nuk bënë të mbetet i heshtur apo i paditur nga të tjerët.” Ai ka edhe një porosi për politikën në Kosovë: “Kosovës vërtetë i janë grumbulluar një varg problemesh të cilat po tentojnë t’ia marrin të ardhmen. Konsideroj që në skenë fuqishëm duhet të paraqitet lideri, ai djaloshi që njoha në vitet e vështira, me vizionin e guximin si virtytin mbi të tjerët për të ndërmarrë veprimet e duhura në kohën e duhur.”

Vazhdon

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme