Me 62 vota për dhe 52 kundër Kadri Veseli ka arritur të zgjidhet kryetar i Kuvendit edhe për një mandat, raporton Ekonomia Online.
Veseli ka marrë votat e koalicionit PAN-AKR dhe të komuniteteve, ndërsa atë nuk e votuan deputetët të LDK-së e Vetëvendosjes. Në sallë ishin 114 deputetë.
Enver Hoxhaj, përfaqësues i koalicionit PAN, kërkoi falje që seanca e cila do të duhet të vazhdohet në orën 10 nuk u mbajtë, kjo sipas tij ndodhi pasi deputetët ishin vonuar. Arsye pragmatike tha ai kanë ndikuar që seanca të shtyhet.
Hoxhaj ka falënderuar dhe Adem Mikullovcin, për punën e bërë gjatë kësaj kohe, si kryesues i përkohshëm i Kuvendit.
Kuvendi arriti të konstituohet pas gjashtë seancave të dështuara, në mungesë të numrave nga koalicioni fitues. Seanca e 24 gushtit ishte tentimi i gjashtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Më 3 gusht u mbajt seanca e parë. Ajo u ndërpre për shkak të mungesës së koalicionit PAN-it, për të vazhduar më pas me përpjekjen e dytë në po atë ditë.
Pas dështimit të dytë, kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci thirri deputetët që të mblidhen të nesërmen, më 4 gusht.
As seanca e 4 gushtit nuk solli rezultate. Me 10 gusht u thirrën deputetët përsëri në seancë, mirëpo, edhe ky tentim rezultoi i paefektshëm. Deputetët e legjislaturës së janë mbledhur edhe më 14 gusht.
Pas konstituimit të Kuvendit në bazë të Kushtetutës neni 95 pika 1 koalicioni fitues i zgjedhjeve, duhet që të propozojnë edhe zyrtarisht mandatarin për formimin e Qeverisë së re.
Pritet që ai të jetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. I nomuari për kryeministër duhet të marrë bekimin formal të presidentit Hashim Thaçi.
Presidenti i drejtohet Kryesisë së Kuvendit për thirrjen e seancës për zgjedhjen e Qeverisë. Votimi për Qeverinë duhet brenda periudhës kohore prej 15 ditësh, bazuar në neni 95, pika 2 të Kushtetutës.