Kadri Veseli takon afaristët vushtrrias, premton rritje 8%

Vushtrri | 22 Maj 2017 | 20:50 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka vazhduar sot fushatën zgjedhore në Vushtrri, ku ka premtuar rritje ekonomike dhe fuqizim të grave e të rinjve.

Veseli, i shoqëruar nga ish-ministri i Financave, Besim Beqaj, ka bashkëbiseduar me afaristët vushtrrias, në fabrikën “Binni”.

Me këtë rast, kreu i Partisë Demokratike premtoi se me Fillimin e Ri, vendi do të ketë rritje ekonomike minimumi 8 për qind.

Veseli ka thënë se shteti duhet të investojë te ndërmarrësit dhe bizneset vendore. “Ne jemi sot këtu në zemrën e kësaj kompanie, sepse një Fillim i Ri për Kosovën fillon me vende të punës”, u shpreh Veseli.

Ai ka thënë se është i lumtur që Haradinaj e ka pranuar ftesën e tij për ta jetësuar së bashku një Fillim të Ri për Kosovën.

“Vetëm imagjinoni sa shumë vende të tjera të punës kemi mundur t’i kemi te ‘Binni’ ose te kompanitë e ngjashme, nëse qeveria jonë do ishte me e fokusuar në rritjen e vendeve të punës në prodhim dhe nëse do i ndihmonte kompanive të kishin qasje në tregje të reja për eksport të produkteve në Evropë”, ka thënë Veseli.

Në këtë bashkëbisedim Veseli ka prezantuar edhe pjesë të platformës Fillimi i Ri për rininë. Mes tjerash, Veseli ka premtuar ndërtimin e shpejtë të stadiumit për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Ish-deputeti i PDK-së, Besim Beqaj, tha se me “Fillimin e Ri” do të krijohet platforma për rritje ekonomike. Ai tha se do të ketë reforma fiskale, kurse fokusi është përkrahja e prodhimtarisë vendore.

Ai tha se sektori i bujqësisë ka nevojë për infrastrukturë për ujitje dhe mbrojte nga fatkeqësia natyrore.

Kurse, Lekë Musa, këshilltar ekonomik i kryetarit Veselit, tha se qeveria e ardhshme do të përkrah bizneset në të bërit biznes gjatë rrugëtimit të tyre.

Ai veçoi se për qasje në kapital qeveria e re do të mundësojë krijimin e fondit dhe mundësi financimi për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, sepse këto janë çelësi i krijimit të vendeve të reja të punës. “Kapitali njerëzor është pasuria më e madhe që ka Kosova”, tha Musa, i cili theksoi se nevojitet aftësimi i këtyre punëtorëve për nevojat e bizneseve.

Sipas tij, nevojitet gjithashtu një reformë dhe trajtim me prioritet i lëndëve kontestimore të bizneseve.

Të ngjashme