Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se iniciativa e disa prej deputetëve të Lidhjes Demokratike të cilët i kanë propozuar shefit të tyre Isa Mustafës një zgjidhje që do t’i bindte ata ta votonin këtë marrëveshje ndërkombëtare, është mashtrim i radhës që kryeministri po ia bënë opinionit.
“Gjitha këto lojëra dhe vizita në Bruksel dhe tash se kinse deputetët që e kanë kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit kërkojnë që asaj marrëveshje t’i ngjitet një shtesë tjetër ku pas dy vjetëve Qeveria të mund të lobojë, janë mashtrime të radhës që Isa Mustafa po ia bënë opinionit të gjerë”, ka thënë ajo.
Deputetja e AAK-së ka thënë se marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa, duhet të procedohet në Kuvend në formën aktuale.
“Ajo marrëveshje e cila është e nënshkruar nga Hashimi dhe nga Isa vërtetë ajo duhet të procedohet në formën si është dhe jo me parashtesa apo prapashtesa . Ky është një mashtrim i radhës që po i bëhet opinionit të gjerë sepse Isa Mustafa me këtë zvarritje, me këto gjëra dhe lojëra të ndyra që po i bënë po dëshiron të fitojë në kohë në mënyrë që sa më shumë me zgjat mandatin e kësaj qeverie”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se propozimi i deputetëve i cili nënkupton që kjo marrëveshje të shikohet pas dy vjetëve nuk do të pranohet as nga Bashkësia Evropiane.
“Unë mendoj që nuk mund të pranohet një formë e tillë sepse nuk do ta pranon as Bashkësia Evropiane . Ju e dini që në vizitën e fundit që e bëri Isa Mustafa në Bruksel kinse për negociim që të hiqet marrëveshja e demarkacionit për liberalizim të vizave e dini që kjo i dështoi sepse gjatë tërë qëndrimit në Bruksel ka mundur ti realizojë vetëm një ose dy vizita”, ka pohuar ajo.
Ndërsa duke folur për atë se cilat janë masat që AAK-ja, do t’i merr nëse marrëveshja e demarkacionit sillet në Kuvend këtë javë për ratifikim, Kadrijaj ka thënë se për hapat që do t’i marrin vendos partia.
“Ne e kemi kundërshtua qysh në fillim dhe ju e dini që Aleanca është partia e parë që e ka ngrit shqetësimin rreth marrëveshjes së demarkacionit. Është partia e parë që e ka kundërshtua dhe më pas na janë bashkuar edhe partitë e tjera opozitare por edhe deputetë që janë në pozitë. Ne do ta kundërshtojmë dhe për hapat në momentin që do të procedohet për në Kuvend, do të mblidhet Këshilli Drejtues, do të mblidhet kryesia e partisë dhe vendimet që do i marrim në këto instanca të partisë ne do t’i zbatojmë”, ka thënë ajo.
Ideja e disa deputëtëve të LDK-së, që të aneksohet marrëveshja për Demarkacionin nuk është përkrahur as nga partneri i saj PDK.