Kafenetë plot, asnjë ndalesë – Si po e përballon Suedia pandeminë?

Prishtinë | 14 Maj 2020 | 10:30 | Nga Ekonomia Online

Në sheshin “Nytorget” të Stokholmit nuk shihet asnjë shenjë e coronavirusit. Duket se ka kaluar tashmë. Grupe njerëzish janë ulur jashtë, duke shijuar rrezet e ngrohta të diellit. Kafenetë përgjatë sheshit janë plot njerëz dhe kurrkush nuk mban maskë. Përballë është një restorant, ku ka një shenjë që ua kujton njerëzve që të mbajnë distancë ndërmjet vete. Por shumë njerëz që janë duke pritur për të marrë pijet duket se nuk çajnë kokën për këtë punë. Jehona e fëmijëve që luajnë në oborrin e një shkolle në afërsi dëgjohet deri në qendër. Fëmijët po kënaqen në oborr, duke luajtur futboll e lojëra të ndryshme.

Matanë Detit Baltik gjermanët po i shikojnë me habi suedezët, por njëherësh shprehin admirim. Regjisori gjerman i teatrit avangard, Frank Castorf, beson se “qytetarët atje trajtohen me kujdes më të madh”. Shkrimtari Daniel Kehlmann e përmbledh kështu situatën: “Kur mendoj për atë çfarë do të duket e ardhmja, mendja më shkon te modeli suedez”.

Çfarë e bën edhe më mahnitëse këtë qasje është mënyra se si shumë amerikanë konservativë janë kthyer papritmas në adhurues të suedezëve. I tillë është Tucker Carlson, një prej personaliteteve më të njohura të “Fox Neës”. Dhe për të mos lejuar që kjo aleancë të lidhet në distancë, në mes ka ndërhyrë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Michael Ryan, drejtor ekzekutiv i Programit për Emergjenca Shëndetësore në OBSH, ka qenë me dy mendje për punën e qasjes së Suedisë për luftimin e koronavirusit.

“Suedia paraqet modelin e ardhshëm”, e pranoi ai qysh në prill, duke paralajmëruar se nuk mund të ketë hapje të plotë përderisa nuk ka të dhëna të qarta analitike për shoqëritë në mbyllje. Ai ka thënë se shtetet e tjera mund të mësojnë shumëçka para se të nisin hapjen e madhe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme