Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër, bën me dije se këtë vit, ka pasur një fluks të shtuar të vizitorëve nga Evropa Perëndimore që kanë vizituar kalanë e Rozafës.
DRKK e Shkodrës, me anë të një grafiku paraqiti fluksin e turistëve sipas shtetësisë për periudhën 15 korrik – 15 gusht 2018, ku vendin e parë e zënë shtetasit polakë me 602 vizitorë, të ndjekur nga ata rusë me 510 vizitorë, si dhe ata francezë me 493 të tillë.
Në total kalaja e Rozafës për këtë periudhë është vizituar nga rreth 3000 mijë shtetas të huaj.
Kalaja e Rozafës është e ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 ha. Në periudhën e lashtë muret ishin të stilit poligonal, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot, transmeton atsh.
Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit Gent dhe historiani Tit Livi e quante “vendi më i fortë i labeatëve”. Kështjella del me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët.
Brenda mureve të saj ruhen një sërë mjedisesh si garnizone, depo, një ndërtesë administrative etj. Kalaja e Rozafës në Shkodër është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës.