Kallas: Evropa duhet të rrisë presionin ndaj Moskës

Prishtinë | 15 Jan 2025 | 11:36 | Nga Ekonomia Online

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, tha se Kievi dhe partnerët e tij duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Rusinë për ta përmirësuar pozitën e Ukrainës në çfarëdo negociate eventuale për t’i dhënë fund luftës.

Duke folur më 14 janar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dhe disa gazeta evropiane, Kallas tha se rritja e presionit ekonomik ndaj Moskës dhe izolimi i saj ndërkombëtar janë mënyrat e vetme për të parandaluar mundësinë që Rusia të marrë epërsinë.

“Nuk duhet t’i nënvlerësojmë aftësitë tona dhe t’i mbivlerësojmë ato të rusëve”, tha Kallas. “Rusia nganjëherë duket si një fuqi misterioze që nuk mund të mposhtet. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi më të fortë si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë ekonomik. Duhet t’u qasemi gjërave nga një pozicion force”.

Ekonomia ruse ka pësuar disa goditje, si rritjen e normave të interesit mbi 20 për qind, Gazprom-i është detyruar të largojë nga puna 40 për qind të stafit menaxhues të saj, tregu i punës është “në gjendje shumë të keqe” dhe ushtria ruse është detyruar të rekrutojë ushtarëve koreano-veriorë për të luftuar në anën e Moskës, tha ajo.

“E gjithë kjo tregon se ata nuk janë në një pozicion të mirë”, shtoi ajo.

Rusia është e bindur se koha është në anën e saj, por Kallas tha se beson se ky pretendim është i gabuar dhe se aleatët perëndimorë të Kievit duhet të rrisin më tej presionin ekonomik.

“Shohim që rezervat e tyre monetare janë shteruar plotësisht. Ata kanë shumë më pak të ardhura sesa më parë nga shitja e naftës dhe gazit”, tha ajo.

Bashkimi Evropian do të diskutojë për sanksionet ndërsa përpiqet të vendosë për një pako të 16-të që do të përkojë me përvjetorin e luftës më 24 shkurt, tha një zyrtar i BE-së për Radion Evropa e Lirë. Pakoja do të jetë përmbajtësore, pavarësisht vështirësisë për të gjetur fusha të reja për sanksione, tha zyrtari.

Fokusi i pakos pritet të jenë masat teknike dhe ato kundër shmangies së sanksioneve. Gjithashtu, diskutimet do të shqyrtojnë kufizimet e importit të aluminit si lëndë e parë, tarifat për produktet bujqësore, përfshirë kimikatet e përdorura në plehra, dhe masa të tjera për të kufizuar atë që quhet flota e errët e cisternave të naftës të Rusisë, sipas zyrtarit.

Kallas shprehu besimin se Bashkimi Evropian do të mund të ruajë unitetin në politikën për dërgimin e armëve dhe ndihmave të tjera në Ukrainë, pavarësisht rezistencës nga disa qeveri evropiane që janë simpatizuese ndaj Rusisë.

Ish-kryeministrja e Estonisë tha se Bashkimi Evropian ka ruajtur unitetin pavarësisht “negociatave të vështira” me ato qeveri.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, pranoi ajo. “Megjithatë, ende besoj se mund të përfaqësojmë një pozicion të bashkuar, sepse vetëm kështu mund të mbetemi të fortë”.

Sa më e fortë të jetë Ukraina në fushën e betejës, aq më e fortë do të jetë edhe në tryezën e negociatave, tha ajo.

Kallas gjithashtu komentoi mbi deklaratën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, se ai do ta përfundojë luftën shpejt, duke thënë se bota pret planin e Trumpit.

Nëse Trump, i cili pritet të inaugurohet më 20 janar, përdor vërtet fuqinë e SHBA-së për të ushtruar presion mbi presidentin rus, Vladimir Putin, që të tërheqë trupat nga Ukraina dhe të ndalojë bombardimin e civilëve dhe infrastrukturës civile, lufta mund të përfundojë në kohë, tha ajo.

Por, ajo përsëriti qëndrimin e BE-së se nuk duhet të ketë asnjë vendim për Ukrainën pa pëlqimin e Ukrainës, dhe kjo vlen edhe për Evropën.

“Është e qartë që cilado marrëveshje të arrihet, Evropa duhet të jetë pjesë e saj. Është detyrë e ukrainasve të vendosin se çfarë lloj marrëveshjeje është e pranueshme për ta”, tha ajo.

Se a dëshiron me të vërtetë Putini paqe është temë tjetër, tha ajo, duke paralajmëruar se një armëpushim do të përdorej nga rusët vetëm për të rigrupuar dhe rimbushur forcat e tyre.

“Rusët nuk i kanë respektuar kurrë armëpushimet. Prandaj është e rëndësishme për Evropën që paqja të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme”, tha ajo.

Kallas gjithashtu foli për sulmet e fundit ndaj kabllove nënujore në Detin Baltik, duke theksuar se do të ishte një gabim t’i trajtojmë ato ndaras nga sulmet ndaj infrastrukturës kritike evropiane. Incidentet duhet të konsiderohen kolektivisht dhe gjithashtu në kontekstin e sulmeve të ngjashme që ajo tha se Kina ka kryer kundër Tajvanit dhe Koresë së Jugut.

Kjo tregon nevojën për të zhvilluar më tej ligjin ndërkombëtar detar dhe për të forcuar më tej sanksionet kundër flotës së errët të Rusisë, që ajo përdor për të shmangur sanksionet ndaj eksporteve të saj të naftës, tha Kallas.REL

Të ngjashme