Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë ka ngritur çështjen e rastit “Panda” në këtë institucion.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se kapitulli 35, në bisedimet e Serbisë me BE-në, është specifik dhe përmban mekanizma për përcjelljen e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas tij, ky standard është rregulluar në kuadër të Kornizës për bisedime me BE-në në rrugëtimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin evropian, ku mes të tjerash thuhet që “çështja e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të shqyrtohet në kuadër të Kapitullit 35, të cilësuar si “çështje të tjera” ndërsa në çështje të veçanta dhe të arsyeshme, ky raport e kjo marrëdhënie në mes të dy vendeve të shqyrtohet edhe në kapitujt e tjerë relevant.
Kamberi ka shkruar se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të duhej të nënkuptonte edhe nisjen e procesit të pajtimit e në mes të tjerash edhe ballafaqimin me të kaluarën si dhe kërkimin e faljes për atë çfarë është bërë.
Ai ka thënë se në procesin e normalizimit dhe pajtimit, një kontribut të veçantë do të mund ta kishte dhënë edhe zbardhja e tërësishme e çështjes së të pagjeturve, por edhe zbardhja e të gjithë atyre çështjeve që kanë pasojë viktima civile.
“Një rast si ky është edhe ai që ka ndodhur në kafiterinë ‘Panda’ në Pejë në vitin 1998. Me 14 dhjetor 1998, pesë nxënës të Gjimnazit (Ivani 14, Zorani 18, Svetislavi, Dragani e Vukosavi 17 vjeçar) dhe studenti 25 vjeçar me emrin Ivan ishin duke qëndruar në kafiterinë ‘Panda’ i cili ndodhej përballë shkollës. Në kafiteri kanë hyrë dy njerëz të armatosur e maskuar dhe me breshëri automatikësh kanë vrarë 6 të rinj dhe janë larguar. Ishte kjo koha në të cilën Slobodan Millosheviqi dëshironte që me armë të zgjidhë ‘çështjen’ e shqiptarëve në Kosovë. Krimi i kryer në kafiterinë ‘Panda’ në Pejë i cili menjëherë iu ishte mveshur, siç thonin ‘terroristëve shqiptarë’, kishte sjellë arrestime masive”, ka shkruar ai.
Kamberi ka thënë se me datë 17 dhjetor, së paku 150 shqiptarë të lagjes “Kapishnica” ishin arrestuar dhe intervistuar në Stacionin policor të Pejës.
“Në bastisjen e shtëpive shqiptare dhe dhunës së ushtruar ndaj tyre kishin marr pjesë mbi 200 pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe, kishin njoftuar mediat më vonë. Katër ose pesë shqiptarë ishin arrestuar dhe pas disa muajve të mbajtur në paraburgim në burgun e Leskocit ishin liruar në mungesë të çfarëdo fakti inkriminues. Një murg i Patriarkanës së Pejës ( Ranko Jokiq) kishte deklaruar për të përditshmen Kurir se ‘ekzekutuesit dihen, emrat e tyre fshihen , posaçërisht nacionaliteti i tyre’. Deri në vitin 2013 familjet e të vrarëve kishin jetuar duke besuar se këtë krim e kanë kryer shqiptarët. Por atëkohë, në cilësinë e koordinatorit të Zyrës së shërbimeve sekrete, presidenti Aleksandar Vuqiq në emisionin ‘Teška reč’, me 28.12.2013, kishte deklaruar ‘Krimin në Panda nuk e kanë kryer shqiptarët sikur që kemi besuar deri tani’ dhe që ‘publiku do të shokohet kur të zbardhet e vërteta’”, ka thënë tutje ai.
Kamberi ka shtuar se presidenti serb Aleksandar Vuqiq ka deklaruar se ka informacione për vrasjen e gjashtë të rinjve serb më 1998 në Pejë, për çka askush nuk është përgjigjur.
“Kam informata dhe indicie, por organet tona kompetente janë në kërkim të provave të plota që ky krim i rëndë të zbardhet. Sa i përket Serbisë dhe mua personalisht, prindërit e të vrarëve duhet të besojnë se të vërtetën nuk do ta fshehim pavarësisht se kush ka marrë pjesë në këtë krim të tmerrshëm, qofshin ata shqiptarë apo serb, që, besoj shumëkend do ta befasonte”, kishte thënë Vuçiq sipas Kamberit, duke shtuar se ai poashtu ka shtuar se është ‘i pari që ka marrë guximin për të folur për këtë krim’ dhe se nuk e brengos “rreziku të cilin e ka marrë përsipër” (burim: Mondo, 01.11.2018.)
Kamberi thotë se edhe ish prokurori për krime të luftës Vlladimir Vukçeviq, për të përditshmen Danas kishte deklaruar se “informatat me të cilat disponon Prokuroria flasin se në afërsinë e kafenesë Panda, e as për rreth tij “nuk ka pasur shqiptarë, përveç forcave policore dhe ushtarake serbe”.
“Tash, 23 vite nga krimi në kafiterinë ‘Panda’ në Pejë edhe shumë vite pas deklaratës së presidentit Aleksandar Vuqiq që ‘ai është gati se i sigurt’ kush është përgjegjës për këtë krim të tmerrshëm, qytetarët ende presin të dëgjojnë të vërtetën rreth asaj se kush dhe për çka me 14 dhjetor 1998 ka vrarë gjashtë dhe ka plagosur 15 të rijnë. Besoj se shteti e ka borxh që opinionit të gjerë e sidomos familjarëve të viktimave t’i tregojë të vërtetën për këtë krim. Prandaj pyetja ime për ministrin e policisë dhe ministrin e drejtësisë është: A janë identifikuar kryerësit e këtij krimi dhe kur do të ngriten aktakuzat për ta? Cila është arsyeja që edhe për presidentin e shtetit të paraqesë rrezik përmendja e këtij rasti?”, ka shkruar tutje ai.