Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj zhvillimit të stërvitjeve ushtarake serbe në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Republikën e Kosovës, duke i cilësuar ato si çështje me ndikim në mjedisin e sigurisë rajonale.
Sipas tij, aktivitetet ushtarake, sidomos ato që përfshijnë kapacitete ajrore dhe zhvillohen afër zonave të banuara, ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e sigurisë së komuniteteve lokale, veçanërisht të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kamberi vlerëson se këto zhvillime mund të interpretohen si faktorë që rrisin tensionet dhe ulin besimin ndërmjet aktorëve në rajon, duke rrezikuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Ai thekson se është e domosdoshme që veprimet e tilla të trajtohen me përmbajtje dhe në përputhje me parimet e sigurisë bashkëpunuese, ndërsa nënvizon rolin kyç të bashkësisë ndërkombëtare për të nxitur dialog, transparencë dhe shmangie të veprimeve provokuese.