Komuna brenda 24 orëve do të rregulloj telashet në “Mati 1”

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 09:34 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

E plotësuar:

Musa Gashi, përfaqësues i banorëve të kompleksit “Royal” në lagjen “Mati 1”, pas takimit me nënkryetarin e Prishtinës, Muhedin Nushi, tha se komuna do të intervenojë për të sanuar problemin brenda kësaj dite.

“Çështjen që na shqetësonte e dinte shumë mirë dhe biseduam me të çështjen e intervenimit emergjent dhe ai u pajtua me këtë dhe mori angazhim që menjëherë brenda 24 orëve me vepru aty për këtë çështje që është mëse emergjente. Unë mendoj që ai e mirëkuptoi emergjencën e veprimit dhe të shohim tash si do veproj komuna. Ka shumë probleme por problemi emergjent është kanalizimi në bodrumet tona i cili duhet të hiqet sa më parë. Problemet tjera,  komuna bashkë me ne, me të gjithë, do të kanalizohen në një mënyrë më të ngadalshme. Nënkryetari na premtoi se brenda pak orëve do të veprojnë aty si komunë. Ne nuk e dijmë si do veprojmë më tutje nëse nuk ka veprime në atë drejtim nga komuna,” është shprehur Gashi, pas takimit.

Kanalizimi i zë hyrjen e kompleksit, komuna nuk ndërmerr masa

Banorët e kompleksit “Royal” në lagjen Mati 1, kanë protestuar në oborrin e Komunës së Prishtinës.

Musa Gashi, përfaqësues i banorëve ka thënë se kjo protestë po zhvillohet si pasojë e dëmtimit të 1200 banorëve që jetojnë ne kompleksin “Royal”, për shkak të kthimit të ujërave të zeza në bodrumet e tyre, duke ua bërë të vështirë jetesën, raporton EkonomiaOnline.

Ai ka paralajmëruar për rrezikun e një epidemie nga kjo dhe ka thënë se pavarësisht kërkesave, komuna nuk është duke ndërmarrë asgjë.

“Është vetë iniciativë e jona me shpreh revoltën tonë për një çështje që është emergjente në hyrje të banesave tona në kompleksin “Royal”, në rrugën B. Janë kthyer ujërat e zeza nga kanalizimi, ngase ka një pengesë në fund të rrugës B e cila na i kthen neve ujërat në podrum. Ka mbi një javë, rreth 10 ditë, që është mbi një metër niveli i ujërave të zeza në bodrumet tona. Problemet veç kanë fillu me u shfaq, ka njerëz shumë të sëmurë, të cilët nuk mund të lëvizin shkallëve, nxemja nuk lëshohet, pastaj bëhet fjalë për reshjet që pritet të vijnë dhe të rritet ai nivel, pastaj më e rënda pritet që nga ato kanalizime, nuk pritet kurgjo mirë pos infeksioneve, pastaj do të bëhet ndnjë epidemi. Kemi kërku nga organet e ndryshme të merren me këtë çështje, ta kanalizojmë kërkesën tonë dhe dikush të punojë në këtë drejtim, mirëpo ende nuk ka zgjidhje në këtë drejtim”.

“Ne jemi qytetarë të Prishtinës dhe jemi votues, kryetar”.

“Kemi bërë ankesa të ndryshme, qoftë peticione, qoftë me shkrim, kanë qenë ujësjellësi aty, janë mundu disa herë, mirëpo na është thënë se problemi është ngase janë tre gypa fi 500, të cilët vijnë dhe takohen aty në fund të rrugës B dhe pastaj vazhdon fi 800. Ky është problem që komuna duhet ta zgjidhë, ta hapë atë shakt apo kanalizim dhe të mos na kthehen më ujërat”.

“Zyrtarë të ndryshëm të komunës kanë ardhë e kanë pa gjendje, na është thënë që është duke u marrë mirëpo gjendja kërkon trajtim emergjent”.

“Në terren nuk ka lëvizje, nuk ka asnjë përmirësim të situatës”.

“Përgjigja nga komuna është se ne do të hapim një tender, procedura, por procedurat duhet të shpejtohen ngase gjendja është alarmante”.

Nafer Çoçaj, banor i lagjes, ka thënë se përgjigjja e të gjithë kësaj është komuna e Prishtinës, për të cilën thotë se duhet të gjejë zgjidhje sa më parë, raporton EO.

“Ne vetëm duam zgjidhje të problemit që është që një vit dhe përsëritet”.

“Banorët janë në hall, kemi aromën që kundërmon, shumë aromë e rëndë, pastaj nuk funksionon lifti që dhjetë ditë, pastaj nxemje nuk kemi për shkak se ka dëpertu uji poshtë, komuna nuk ndërmerr asgjë”.

“Kryetari të ndërmerr diçka, ta zgjidhë sa më herët këtë problem”.

“Së pari është shpërthimi i epidemisë, pastaj janë depot ku i kemi lënë gjërat dhe nuk funksionon ligji fare dhe është rrezik edhe uji me u ndërpre për shkak se është rrezik me u rrit niveli deri tek pompat e ujit dhe ujë s’do të kemi, nuk kemi nxemje. Problemi më i rëndë është era e rëndë dhe është rrezik shpërthimi i ndonjë epidemie”.

“Nuk marrin vesh qetë, na mbetet vetëm me u rrebelu. Ne si banorë duhet me ndërmarrë diçka, nuk jetohet në ato kushte. Të vjen kryetari, të rrijë vetëm 5 minuta para banesave dhe të shoh a ka jetë aty. Kryetari jonë nuk është me nejt vetëm në fotele, por me i zgjidhë problemet. Kërkojmë në mënyrë shumë të kulturuar të qytetëruar që ta zgjidhin problemin. Përgjegjësinë e merr vetëm komuna”.

Protestuesit janë njoftuar se mund të hyjnë për të biseduar me nënkryetarin e komunës tre banorë të kësaj lagje.

 

Të ngjashme