“Evropa është e paplotë pa Ballkanin”, deklaroi në një samit në Bukuresht, kandidati kryesor i Partive Popullore Evropiane (PPE/EPP) për postin e presidentit të Komisionit Evropian, Manfred Weber.
Në samitin e PPE-së, ku merrnin pjesë 3.200 delegatë, Weber paraqiti vizionin e tij për kontinentin e vjetër.
“Ne duhet të jetojmë me të njëjtat standarde në të gjithë Evropën”, u shpreh politikani gjerman, duke shpjeguar se, si kryetar i KE-së do të favorizonte politikat e zhvillimit rajonal dhe të infrastrukturës.
“Unë dua të luftoj për një Evropë, që njerëzit ta ndiejnë si Evropën e tyre”, deklaroi kandidati konservator.
Weber u shfaq tepër i prerë për çështjen e Turqisë dhe tha se, nëse e merr postin që synon do t’i ndërpresë bisedimet e anëtarësimit me Ankaranë.
Mesazhi tjetër i fortë i tij ishte se Evropa duhet të afrojë shtetet e Ballkanit. Weber u distancua edhe njëherë nga Victor Orban. Kryesia e PPE-së do të vendosë në ditët në vijim sesi do të veprojë me kryeministrin hungarez, pas zërave që kërkojnë përjashtimin ose pezullimin e përkohshëm të partisë së tij “Fidesz”. /TopChannel