Kandidatja e AAK-së për ta drejtuar Komunën e Drenasit, Arta Ahmeti-Xhylani, ka paraqitur sot platformën e saj qeverisëse, në një tubim ku merrte pjesë dhe lideri i partisë, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj.
Ndër pesë pikat e qeverisjes së saj, Ahmeti-Xhylani ka kërkuar që të iniciohet nxjerrja e Ligjit për Drenasin, si zonë e rrezikuar për shkak të “Ferronikelit” dhe gurëthyesve që veprojnë në territorin e kësaj komune.
Pikat të tjera të programit të saj janë shfrytëzimi i ujit të nxehtë nga ndërmarrja “Ferronikeli” për nxehjen qendrore të qytetit; rregullimi i shtratit të lumit “Drenica”; adresimi i problemeve me çerdhe, që do sipas saj do të zgjidhje me tri çerdhe të reja dhe rregullimi i sinjalistikës dhe mbikalimit te hekurudha.
Më tutje, ajo theksoi se AAK-ja ka plane dhe politika për ngritjen e cilësisë në arsim, ekonomi prodhuese dhe krijimin e kushteve për investitorët e huaj.
Në fjalën e tij, lideri i Aleancës, njëherësh kryeministër i vendit, Haradinaj, tha se qytetarët e Drenasit tani e kanë një zgjidhje kujt t’ia japin mundësinë për ta drejtuar Komunën.
“Këta që i shihni, të rinj e të reja, këtyre iu mungon vetëm një gjë, atyre iu mungon vetëm vota juaj “, tha Haradinaj, duke i uruar kandidatët e AAK-së për Kuvend Komunal që ta marrin besimin e qytetarëve.
E duke folur për kandidaten e vetme grua nga Aleanca, Haradinaj u shpreh se “është për t’u lakmuar” gjykimi i saj dhe gjetja e zgjidhjeve për temat që preokupojnë qytetarët e Drenasit.
“U përmend Ligji për Drenasin që do të mundësonte mbrojtjen e qytetarëve dhe përfitime për ta, për ta marrë nxemjen dhe kjo mund të jetë një zgjidhje dhe një ndihmesë”, deklaroi kreu i Qeverisë.
Sa i përket rregullimit të shtratit të lumit “Drenica”, Haradinaj tha se kjo përputhet me temat e tij si kryeministër për t’i trajtuar lumenjtë, dhe mbrojtjen e mjedisit, si çështje që prekin jetën e qytetarëve.
Ai ka folur dhe për punët që po bën qeveria e drejtuar nga ai në nivelin nacional. “Jemi duke punuar intensivisht që qeverisja me mbërri te qytetari”, theksoi Haradinaj.