Gjatë ditës së djeshme, hetues policorë kanë sekuestruar dy armë të zjarrit në dy lokacione: njëra në rrugën “Bazhdar hane” dhe tjetra në rrugën “Xhevat Berisha”.
Në “Bazhdar Hane” është sekuestruar një pushkë gjahu e prodhimit rus me 110 fishekë pas dyshimeve se i dyshuari gjatë natës së Vitit të Ri kishte shkrepur dy fishekë në ajër.
Ndërkaq në rastin e dytë ka ndodhur një kanosje me ç’ rast i biri e kishte kanosur babain e tij. Gjatë mbledhjes së informatave për personin e dyshuar, policia ka arritur të sigurojë një informacion të besueshëm i cili bënte me dije se i njëjti posedonte një pushkë automatike.
Gjatë intervistës i dyshuari i ka treguar policisë për armën e cila më pas është sekuestruar me 13 fishekë.
Të dyshuarit, në të dy rastet, janë liruar sipas procedurës së rregullt. Provat materiale dhe shkresat e lëndëve i kalojnë prokurorisë për procedura të mëtejme.