Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar në Prishtinë, pasi tek i njëjti janë gjetur gjashtë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Sipas policisë, pesha e substancës së sekuestruar është 6.13 kilogramë, ndërsa vlera e saj është rreth 150 mijë euro.
“Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës tek personi i dyshuar janë gjetur 6 (gjashtë) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro”)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, policia tha se lidhur me rastin, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dy telefona, një veturë dhe 4 mijë e 305 denarë maqedonas.
“Të gjitha veprimet e ndërmarra dhe dëshmitë e gjetura të sekuestruara janë kryer me autorizimin e prokurorit kujdestar. Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor”, thuhet në njoftim.
Më tej, policia bëri të ditur se në një rast tjetër në Ferizaj është sekuestruar edhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë prej 38.62 gramë, ku vlera, sipas policisë është rreth 3 mijë e 500 euro.
“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, vlera e substancës së dyshuar narkotike vlerësohet të jetë rreth 3500 euro, para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze”.
“Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë”, thuhet në njoftim.