Është një ditë e përsosur me diell në Kaliforni. Dielli po rrezon, një erë e lehtë përkëdhel gjethet pranverore dhe në një kafene në Luginën e Silikonit, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Ro Kahanna, po diskutonte me njërin prej miliarderëve të shumtë lidhur me një temë të sikletshme: ngritja e jopopullaritetit të miliarderëve dhe kompanive të tyre gjigante të teknologjisë.
“Ka njëfarë nënshtrimi”, thekson Khanna, demokrat nga Kalifornia, transmeton Koha Ditore.
Miliarderi në anën tjetër të tavolinës qeshet si me zor. Reflekton nervozë. Chris Larsen po merrej me hapjen e kompanisë së tretë të re dhe po priste që të bëhej një prej njerëzve më të pasur në Luginë, nëse jo edhe në mesin e më të kamurve të botës. Edhe ai thotë se ka nisur ta kuptojë se njerëzit po ndiejnë njëfarë neverie ndaj të pasurve. Ai tallet.
Dekadat e shpresës së madhe
Për dekada me radhë, republikanët dhe demokratët kanë ngritur në qiell elitën afariste të Amerikës, sidomos atë në Luginën e Silikonit, si shpëtimi i kombit. Qeveria mund të jetë futur në rrugë pa krye, me elektoratin të zemëruar dhe të përçarë, por novatorët e Amerikës dukej se po trasonin rrugën për një shtegdalje për të gjithë prej lëmshit të madh.
Kompanitë e tyre prodhuan seri të pafundme prodhimesh që mbajtën dinamikën e ekonomisë amerikane dhe vazhduan të sillnin rritje të vazhdueshme. Përpjekjet e tyre filantrope kishin për qëllim të merreshin me zgjidhjen e disa prej problemeve më akute. Dhe Qeveria kishte ndarë mendjen të mos përzihej në këtë mes.
Dhe tani që nuk ka më konsensus, gjithçka duket se po e merr teposhtën. Për herë të parë për dekada me radhë, e ardhmja e kapitalizmit është temë debati në mes të kandidatëve për president, dhe burim i zemërimit në ngritje të madhe ndaj elitës së biznesit të Amerikës.