Kapiteni i Bullgarisë, Ivelin Popov, ka thënë se ai është i turpëruar nga thirrjet raciste të tifozëve bullgarë ndaj futbollistëve me ngjyrë të Anglisë, gjatë ndeshjes të së hënës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.
UEFA e ka paditur Federatën e Futbollit të Bullgarisë për sjelljen raciste të tifozëve të saj gjatë disfatës me rezultat 6:0 në ndeshjen e “Tre Luanëve” kundër Bullgarisë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.
Përballja e djeshme në Sofje u ndal në dy raste gjatë pjesës së parë, pasi që tifozët e Bullgarisë në tribuna po i ofendonin futbollistët me ngjyrë të Anglisë me thirrje raciste.
Protokolli i ri i UEFA-s thekson se gjyqtarët e kanë autoritetin për ta suspenduar ndeshjen dhe në fund mund të vendosin ta braktisin plotësisht ndeshjen në rrethana të tilla.
Dy hapat e parë të një plani trehapësh u implementuan mbrëmë në kryeqytetin bullgar, pasi që tifozëve fillimisht iu kërkua ndalja e thirrjeve raciste e pastaj ndeshja u pezullua sërish për pak kohë.
Në fund u mor vendimi për të mos e braktisur ndeshjen, që përfundoi me rezultat 6:0 për anglezët, mirëpo një numër i tifozëve bullgarë u larguan nga stadiumi me forcë nga rojet e sigurimit.
Përderisa disa lojtarë, trajneri i Kombëtares dhe presidenti i atëhershëm i Federatës së Futbollit të Bullgarisë mohuan të kenë dëgjuar thirrje raciste, Popov kishte qëndruar në fushë pas pjesës së parë, duke debatuar me tifozët, të cilëve u kërkonte t’i ndalnin thirrjet raciste.
“Ishte e rëndësishme që unë të flisja në atë mënyrë sepse është një problem shumë i madh për të gjithë, për Federatën tonë, për Anglisë dhe nëse tifozët të thonin edhe më tutje fjalë të këqija, qoftë edhe vetëm një herë, atëherë Anglia do t’i jepte fund ndeshjes”, ka thënë Popov.
“Ne do ta merrnin një dënim aq të madh dhe kjo nuk do të ishte një gjë e mirë për futbollin në Bullgari sepse nëse ndonjë lojtar tjetër dëshiron të vijë këtu, ata dëgjojnë se çfarë po thuhet për në dhe sa keq flitet… atëherë kjo nuk do të ishte në të mirë të askujt”.
“Natyrisht që ndihem i turpëruar. Unë nuk dëshiroj të jetë kështu, nuk është mirë për ne, për Federatën e as për vendin. Si ndihem? Nuk ndihem mirë sepse nuk luajtëm mirë, humbëm 6:0 dhe ajo që ndodhi ishte e tmerrshme”.
“Këto gjëra duhet të ndalen. Ne po luajmë 11 kundër 11, nuk ka rëndësi ngjyra e lëkurës, nuk është problem, të gjithë jemi të njëjtë, jemi bashkë në një familje të madhe të futbollit. Vetëm nëse jemi të bashkuar mund t’i ndalim këto gjëra të këqija”.
“Unë tentova të flas me rojet e sigurimit të cilët supozohet t’i kontrollojnë këto situata. Ne të gjithë po vuajmë nga ajo sjelljeje. A mendoni se një lojtar i huaj do të donte të vinte të luante në Bullgari pas asaj që ndodhi?”
“Racizmi është një problem botëror që duhet ta zhdukim. Ne jemi të gjithë njerëz, pavarësisht ngjyrës së lëkurës sonë”.
Përderisa veprimet e Popovit janë lavdëruar, presidenti i Federatës së Futbollit të Bullgarisë, Borislav Mikhaylov, është detyruar të japë dorëheqje, pasi kryeministri i vendit ia kërkoi një gjë të tillë pas skandalit të së hënës.