Benjamin Kololli dhe Hekuran Kryeziu janë dy mungesat e Kosovës për ndeshjen me Ishujt Faroe.
Autori i dy golave ndaj Maltës, Kololli, është i lënduar dhe nuk do të jetë në fushë të dielën.
Për këtë, përzgjedhësi Bernard Challandes, do të bëjë ndryshime në repartin e mbrojtës dhe në mungesë edhe të Leart Paqaradës së lënduar, krahu i majtë pritet t’i besohet Fidan Alitit, që luajti në qendër ndaj Maltës.
Challandes mbrëmë me shtabin teknik, kanë zhvilluar bisedime intensive me kapitenin e Kosovës U-21, Ardian Ismajli dhe përfaqësuesit e tij. Lojtari është ftuar t’i bashkohet Kombëtares A, por e ka refuzuar këtë ftesë.
Gazeta Olle mëson se lojtari është i pakënaqur me tretmanin e trajnerit zviceran, i cili nuk llogariti në të për ndeshjet e shtatorit.
Mbrojtësi i Hajdukut të Splitit, në mars ishte afër Kombëtares A të Shqipërisë, por ishte presidenti i ndjerë, Fadil Vokrri, që e bindi të vazhdojë me Kosovën. Ai debutoi në miqësore kundër Shqipërisë, pas një paraqitje shumë të mirë.
Ardiani nuk ka luajtur asnjë minutë në ndeshjen zyrtare me Kosovën A, gjë që tregon se ai mund të ndjekë rrugën e Kastriot Dermakut, i cili la Kosovë për Kombëtaren A të Shqipërisë.
Kosova takohet nesër me Ishujt Faroe, dhe në qendër të mbrojtjes pritet të jenë dyshja: Amir Rrahmani dhe Ardin Dallku.