Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, ka thënë se ardhja e portierit të Manchester Cityt, Arijanet Muriq, do të rrisë cilësinë e përfaqësueses së Kosovës në futboll, shkruan sot Koha Ditore.
Portieri Ujkani i gëzohet ardhjes së ish-gardianit të përfaqësueses U-21 të Malit të Zi. Ndonëse Ukjkani mund të ndiejë për herë të parë konkurrencën e vërtetë për vendin në portën e Kosovës, ai nuk ndien presion.
Federata e Futbollit të Kosovës, të dielën, njoftoi se 19-vjeçari Muriq ka vendosur t’i bashkohet përfaqësueses së Kosovës. Ai nuk pritet të grumbullohet për ndeshjet e shtatorit, por pritet të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes për ndeshjet e mëvonshme.
Kosova më 7 shtator luan kundër Azerbajxhanit në Baku, kurse më 10 shtator luan kundër Ishujve Faroe në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshjet i takojnë Ligës së Kombeve të UEFA-s.