Këtë mëngjes, SHBA-të kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Ky zhvillim shkakton shqetësim të thellë dhe meriton dënim, ka deklaruar Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë të lëshuar për ngjarjet e sotme në Venezuelë.
“Pretekstet e përdorura për të justifikuar këto veprime janë të paqëndrueshme. Armiqësia e ideologjizuar ka mbizotëruar ndaj angazhimit pragmatik, si edhe ndaj çdo gatishmërie për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim dhe parashikueshmëri”, thuhet në reagimin e Rusisë.
Venezuela është aleati më i rëndësishëm tregtar dhe ushtarak i Rusisë në Amerikën Latine.
Rusia tha se në këtë situatë është “thelbësore” që të parandalohet “përshkallëzimi i mëtejshëm” dhe shtoi: “të përqendrohemi në gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut”.
“Ne nisemi nga mirëkuptimi se të gjitha palët që mund të kenë ankesa kundër njëra-tjetrës duhet të kërkojnë zgjidhje përmes mekanizmave të bazuar në dialog. Ne jemi të gatshëm të mbështesim përpjekje të tilla. Amerika Latine duhet të mbetet një zonë paqeje, siç e shpalli veten në vitin 2014. Venezuelës duhet t’i garantohet e drejta për të përcaktuar fatin e saj, e lirë nga çdo ndërhyrje e jashtme shkatërruese – e lëre më ushtarake”.
Rusia tha se solidarizohet me “popullin venezuelian dhe mbështetjen tonë për kursin e ndjekur nga udhëheqja e saj bolivariane, që synon mbrojtjen e interesave dhe sovranitetit kombëtar të vendit”.
“Ne mbështesim deklaratat e autoriteteve venezueliane dhe të udhëheqësve të vendeve të Amerikës Latine që kërkojnë thirrjen urgjente të një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Rusia tha se ambasada e saj në Karakas po vepron normalisht, duke marrë parasysh situatën në terren, dhe mban kontakt të vazhdueshëm me autoritetet venezueliane, si dhe me shtetasit rusë të pranishëm në Venezuelë.
“Aktualisht, nuk ka informacione që tregojnë se ndonjë qytetar i Federatës Ruse është plagosur”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë sot se SHBA-ja ka kryer sulme kundër Venezuelës dhe e ka kapur udhëheqësin e saj, presidentin Nicolas Maduro, si dhe bashkëshorten e tij.
Reali e gjen zëvendësuesin e Carvajalit, konkurrenti i Trentit mund të vijë nga Premierliga
Read more