Rreth 2700 koronarografi të kryera tek pacientët pritet të jetë numri final në fund të këtij viti, në Kliniken e Kardiologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në këtë klinikë, sipas burimeve të Front Online, ka pasur mungesë të stentave dhe ditë më parë janë kryer shërbimet vetëm për rastet emergjente.
Klinika tashmë është furnizuar me material, dhe drejtori i saj, Lulzim Kamberi tha se materiali po shpenzohet shpejtë për shkak se janë duke kryer më shumë raste se vitin e kaluar.
“Deri në fund të vitit presim me qenë 2700 koronarografi të kryera. Para tri dite jemi furnizuar me material të stentave mjaftueshëm. Në vitin që jemi po na shkojnë shumë material, pasi jemi duke punuar më shumë, në krahasim me vitin e kaluar që kanë qenë më pak se 2 mijë procedura, tani i kemi 2700”, tha Kamberi.
Ai nuk e ka mohuar se ka listë të gjatë të pritjeve, por kjo ndodh për shkak të mungesës së një aparati për koronarografi.
Një aparat i tillë ka koston rreth 1 milion euro.
Pavarësisht kërkesave, kardiologjia vazhdon të ketë mungesë të atij aparati.
Kamberi shprehet optimist se në 2023 do ta sjellin.
“Po kërkesa është bë vazhdimisht, arsyetim të plotë, ne e themi kështu, me këtë punë që po bëhet këtu, aparati kushton rreth 1 milion. Në ditët e 2023 pritet të ketë aparat tjetër, kështu janë fjalët”, tha drejtori i klinikës, Lulzim Kamberi.
Në kardiologji rastet akute e marrin intervenimin menjëherë, por që nuk përjashtohen as pritjet.
“Rastet akute nuk presin, rastet efektive për fat të keq kanë listë të pritjes. Këto raste nuk e di sa presin saktësisht, pasi disa po e përfundojnë diku tjetër, disa tjerë po rezistohet kanë ose s’kanë indikacione, nuk e di saktësisht sepse lista është duke u azhurnuar”.
Në këtë klinikë janë vetëm dy sosh, njëri bën, tjetri jo.
“Në Klinikën e Kardiologjisë janë të shtrirë 75 pacientë. Në Kardiologji i kemi dy aparate, njëri është shumë i mirë, tjetri është i vjetër, vazhdimisht ka pengesë, një ditë punon, një ditë nuk punon, duhet me ndërhy teknika”.