Sipas raportimeve, një numër klubesh po e përcjellin nga afër situatën e Alejandro Garnachos në prag të afatit kalimtar të janarit, përfshirë edhe klubin ku ai e nisi karrierën, Getafen.
Garnacho aktualisht është i huazuar te Aston Villa, pasi në korrik ishte arritur marrëveshja që kalimi i tij nga Chelsea të bëhej i përhershëm verën e ardhshme, “nëse përmbushen disa kritere”, përfshirë numrin e paraqitjeve të realizuara.
Në atë kohë, Chelsea besonte se kushtet mund të përmbusheshin dhe se do ta arrinte vlerësimin fillestar për anësorin argjentinas, i cili iu bashkua klubit londinez nga Manchester United në gusht të vitit të kaluar për një shumë që raportohet të ketë qenë 40 milionë funte.
Megjithatë, Garnacho ka hasur vështirësi për të siguruar minuta në ekipin e parë nën drejtimin e Unai Emeryt, duke regjistruar vetëm 95 minuta lojë në shtatë paraqitje në të gjitha garat.
Në fakt, paraqitja e tij e fundit për Aston Villan ishte më 31 tetor, kur u aktivizua për vetëm tri minuta në ndeshjen kundër Fulhamit. Ai gjithashtu u la jashtë listës së skuadrës për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Galatasarayt këtë javë.
Si pasojë e mungesës së minutave në ekipin e parë, Garnacho po lidhet me një largim të mundshëm. Një raportim i “TEAMtalk” sugjeron se Chelsea nuk ka “asnjë qëllim” për ta rikthyer lojtarin në planet e ekipit të parë.
Madje, drejtuesit e klubit po punojnë prapa skenave për t’i gjetur një skuadër të re. Por, cilat klube janë të interesuara për të?
I njëjti medium pretendon se Getafe, klubi ku Garnacho e nisi karrierën, po shfaq interesim për ish-lojtarin e saj, më shumë se një dekadë pasi ai u largua nga klubi spanjoll për t’iu bashkuar grupmoshave të Atletico Madridit.
Raportohet se përfaqësuesit e Garnachos kanë kontaktuar disa klube për të parë interesimin e tyre, ndërsa Getafe po shqyrton kushtet e një marrëveshjeje të mundshme. Klube nga Franca, Italia dhe Arabia Saudite gjithashtu po vazhdojnë ta “monitorojnë situatën”.
Siç u përmend më lart, Garnacho ka luajtur vetëm 95 minuta për Aston Villan dhe tashmë është lënë jashtë listës së skuadrës për katër ndeshje radhazi, përfshirë edhe udhëtimin e së shtunës në fushën e Ipswich Townit.
Situata e tij është pothuajse identike me atë që përjetoi Harvey Elliott nën drejtimin e Unai Emeryt sezonin e kaluar. Mesfushori i Liverpoolit luajti vetëm 109 minuta në Premier League, përpara se të rikthehej në “Anfield”.
Elliott ishte transferuar në formë huazimi për një sezon të plotë, ndërsa Aston Villa kishte detyrimin për ta blerë për 35 milionë funte pas përfundimit të huazimit.
Megjithatë, minutat e Elliottit u pakësuan pasi Aston Villa nuk dëshironte ta paguante shumën e kërkuar për ish-mesfushorin e Fulhamit. Kushti ishte që ai të luante në 10 ndeshje që marrëveshja të bëhej e përhershme.
Në fund, ai u aktivizua vetëm në nëntë ndeshje, duke bërë që transferimi të mos realizohej. Elliott u rikthye te Liverpooli gjatë verës, përpara se të huazohej te Valencia në prag të sezonit 2026/27.