Një nga qëllimet e kompanisë – lumturia e punonjësve

Prishtinë | 06 Kor 2023 | 00:46 | Nga Ekonomia Online

Ekonomia duhet të interesohet jo vetëm te shpërndarja efikase e të mirave materiale, shkruante disa vite më parë Matthew Rabin, student i shkëlqyer i Universitetit të Harvardit, te American Economic Review. “Por edhe në krijimin e institucioneve në të cilat njerëzit janë të lumtur që ndër-veprojnë me njëri-tjetrin”.

Pa e ditur, një kompani e vogël nga Ankona, që prodhon detergjente biologjikë nga vajra të ngopur, e ka marrë seriozisht këtë gjë, aq seriozisht sa e ka bërë pjesë të statusit të saj ku qëllimi përfundimtar nuk është rritja e fitimeve apo e vlerës së aksioneve të saj por “mirëqenia dhe lumturia e gjithë atyre që bëjnë pjesë në të”.

Këtë sipërmarrje, së bashku me shumë të tjera, e njoha gjatë Festival Nazionale dell’Economia Civile (Festivali Kombëtar i Ekonomisë Civile, 29 – 31 mars) që u zhvillua në Firence. Në “Salone dei Cinquecento” të Palazzo Vecchio, ato treguan historitë e tyre të sukseseve dhe dështimeve, të inovacionit dhe vizionit, angazhimit dhe qëndrueshmërisë, në një shprehje.

Në këtë Festival, ishte ajo sipërmarrja që nëpërmjet modës dhe kreativitetit, riciklon materiale dhe u jep dinjitet dhe profesion grave të dënuara me burgim. Dhe ajo tjetra që prodhon gjeneratorë diellorë, që me kalimin e kohës pastron ujin dhe siguron akses në internet për qytetet e së ardhmes.
Ishte edhe ajo kompania shumëkombëshe që, përveç pikave të shitjes, krijojnë dyqane ku ata që kanë nevojë mund të marrin hua pajisje dhe materiale për punime në shtëpi. Këto janë sipërmarrje civile, të ndryshme, hibride; sipërmarrje që, në shumëllojshmërinë e tyre, kanë gjëra të përbashkëta. Së pari, këto janë kompani “virtuoze”. Jo në kuptimin e kompanive të mira apo “shenjtore”. Janë “virtuoze” në kuptimin e parë të fjalës.

Për grekët, virtyti ishte cilësia e përsosmërisë. Aftësia për të përfunduar dhe për të shfaqur talentin. Ne mund të themi për shembull që një pianist është virtuoz, apo se një poet është virtuoz i fjalës.

Këto kompani shkëlqejnë, në kuptimin që bëjnë të lulëzojnë persona, vende, ide dhe territore, duke mos u kënaqur me të zakonshmen, por janë kërkim të gjërave të jashtëzakonshme. Ato janë sipërmarrje që prodhojnë “vlerë”.

Kjo është fjala e dytë kyçe. Jo vetëm fitime, por edhe vlerë. E dimë mirë se mund të ketë sipërmarrje që ndërkohë që gjenerojnë fitime, shkatërrojnë vlerën.

Sipërmarrje që u “përthithin” energjinë personave me të cilët ndër-veprojnë dhe territoreve ku operojnë; industria e lojërave të fatit, ajo e prodhimit të armëve, sipërmarrjet ndotëse të mjedisit, por edhe ato që ofrojnë punë të padobishme.

Të mos harrojmë që 25% e punonjësve në vendet e zhvilluara, mbi të gjitha të rinjtë, mendon se puna e tyre është e padobishme. Në anën tjetër, sipërmarrjet civile krijojnë dhe përhapin vlerë të përbashkët, që kapërcen kufijtë e organizatës për të pushtuar mjedisin në të cilin veprojnë. Këto sipërmarrje kanë në thelb të tyre “marrëdhëniet”, fjala e tretë kyçe.

Teknologjia e tyre produktive përbëhet nga marrëdhëniet.

Avantazhi i tyre konkurrues mbështetet te cilësia e marrëdhënieve, përcaktuesi kryesor, jo vetëm i kohezionit social, besimit dhe produktivitetit por edhe i mirëqenies individuale dhe sociale. Kujdesi i komunitetit të personave që themelojnë sipërmarrjen është në të njëjtën kohë edhe mjet për krijimin e asaj vlere të përbashkët për të cilën folëm pak më sipër. Pastaj është edhe “inovacioni”. Ata që flasin për inovacionin kohët e fundit, dhe mbi të gjitha për “inovacion social” rrezikojnë të bëjnë diskutime të pavlera dhe të paqarta.

Këto kompani bëjnë inovacion, në një kuptim shumë të veçantë. Ato jo vetëm përpiqen t’u japin përgjigje të reja pyetjeve të vjetra, por përpiqen që të gjejnë mënyra të reja për t’ju përgjigjur nevojave të konsoliduara. Ato shkojnë edhe më larg, në kërkim të pyetjeve të reja, sjellin nevoja të reja, analizojnë vendet dhe personat për të kuptuar pyetjet e pashprehura. Dhe ky inovacion gjen hapësirë në zgjedhje të vogla në përditshmëri.

Sipërmarrjet civile veprojnë kështu, sjellin ndryshime të vogla, të përditshme, të aksesueshme por kumulative.

Zgjedhjet e vogla të përditshme bëhen mendime të përbashkëta, skema konceptuale, rregulla, konvencione dhe kode me vlera të përbashkëta. Një kulturë e qëndrueshmërisë sociale dhe mjedisore, por edhe e besimit dhe marrëdhënieve reciproke.

Këto “sipërmarrje civile” ekzistojnë dhe janë të shumta; të vogla, ndoshta, por shumë konkrete. Një traditë të cilën nuk duhet ta harrojnë, përkundrazi, duhet t’u themi “faleminderit” këtyre sipërmarrjeve dhe sipërmarrësve, duke i kërkuar, duke i zbuluar, duke mbështetur, dhe duke i ndihmuar që të lulëzojnë dhe të maturohen nëpërmjet zgjedhjeve tona në konsum dhe investime. Pasi zhvillimi i ekonomisë duhet të jetë civil.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme