Një person i moshës 70-vjeçare në anën e Pakistanit ka humbur jetën si pasojë goditjeve me predha dhe artileri nga ushtarët e Indisë në vijën e kontrollit në Kashmir
Një civil është vrarë si rezultat i gjuajtjeve me predha dhe artileri nga ushtarët e Indisë në vijën e kontrollit në pjesën pakistaneze të Kashmirit, njoftoi policia e Pakistanit.
Arshad Naqvi, zyrtar i policisë lokale të Pakistanit, ka theksuar se një person i moshës 70-vjeçare në anën e Pakistanit ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me predha dhe artileri nga ushtarët e Indisë në vijën e kontrollit në Kashmir mes dy vendeve.
Shtypi pakistanez raportoi se gjuajtjet nga ana e Indisë kanë dëmtuar tri shtëpi në zonën Maira Bakot dhe kanë shkaktuar plagosjen e katër personave në tre fshatra të ndryshëm.
Ndërkohë, zëdhënësi i ushtrisë së Indisë, Rajesh Kalia, akuzoi palën pakistaneze për inicim të gjuajtjeve gjatë ditës së djeshme, duke shtuar se si pasojë e hapjes së zjarrit nga ushtarët pakistanezë janë plagosur katër fshatarë në Xhamu Kashmirin e kontrolluar nga India.
Ushtritë e Pakistanit dhe Indisë akuzojnë njëra-tjetrën për goditje me predha dhe artileri në vijën e kontrollit që ndan rajonet nën kontrollet e tyre në Kashmir.
– Problemi i Kashmirit
Gjatë tërheqjes nga India në vitin 1947, Britania e la Kashmirin, i cili udhëhiqej si një principatë, të lirë të vendosë për bashkim me Indinë ose Pakistanin. Popullsia e Kashmirit, e cila 90 për qind përbëhet nga muslimanët, u deklarua për bashkim me Pakistanin në vitin 1947, por princi i asaj periudhe vendosi të bashkohet me Indinë.
Vendimi u kundërshtua nga popullata muslimane e Kashmirit, ndërsa pasi Pakistani dhe India dërguan ushtarë në rajon, palët në vitin 1947 për herë të parë luftuan. Mes dy vendeve për të njëjtin shkak shpërtheu luftë edhe në vitet 1965 dhe 1999.
India kontrollon 45 për qind të Kashmirit, ndërsa 35 për qind është nën kontrollin e Pakistanit. Kina kontrollon 20 për qind të rajonit. India, rajonet që i mori nën kontroll i bashkoi nën emrin provinca e Xhamu Kashmirit.
Xhamu Kashmir ende është provinca e vetme me popullsi shumicë muslimane në Indi. Ndërkaq, Pakistani pjesën që ka nën kontroll i ka dhënë status të dy rajoneve autonome, “Azad Kashmir (Kashmiri i Pavarur)” dhe “Gilgit Baltistan”.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), me një rezolutë në vitin 1948, parashikoi pastrimin e Kashmirit nga ushtarët dhe që e ardhmja e rajonit të caktohet me referendum. India nuk është dakord me referendumin, ndërsa Pakistani kërkon zbatimin e vendimeve të KS-OKB-së.
– Tensionet Indi-Pakistan
Tensionet e fundit mes Indisë dhe Pakistanit filluan me sulmin me bombë të ndërmarrë më 14 shkurt ndaj autokolonës me forca paramilitare në pjesën e Kashmirit nën kontrollin e Indisë, si pasojë e të cilës jetën humbën 44 persona.
Qeveria indiane ka akuzuar Pakistanin për mbështetje të terroristëve që kryen sulmin, ndërsa Pakistani hodhi poshtë akuzën dhe dënoi sulmin.
India më 26 shkurt njoftoi se ka ndërmarrë një sulm ajror ndaj objektivave terroriste të cilat ndodheshin në Vijën e Kontrollit të Kashmirit në anën e Pakistanit.
Pas këtyre zhvillimeve, me arsyetimin e shkeljes së hapësirës ajrore, Pakistani njoftoi rrëzimin e dy avionëve luftarakë të Indisë.