Burimi i problemit që më parë shkaktoi tri luftëra mes dy fuqive të mëdha të Azisë, Pakistanit dhe Indisë, është rajoni i Kashmirit.
Kashmiri si një problem serioz mes Indisë dhe Pakistanit, bazohet në tërheqjen e Britanisë së Madhe nga rajoni para 72 vitesh.
Britania kur tërhiqej nga India në vitin 1947, Kashmirin, i cili udhëhiqej si një principatë, e la të lirë që të vendos për bashkim me Indinë ose Pakistanin. Popullsia e Kashmirit e cila 90 për qind përbëhet nga myslimanët ishin të qëndrimit për bashkim me Pakistanin në vitin 1947, por princi i asaj periudhe vendosi që të bashkohet me Indinë.
Vendimi u kundërshtua nga populli mysliman i Kashmirit ndërsa pasi Pakistani dhe India dërguan ushtarë në rajon, palët në vitin 1947 për herë të parë luftuan. Mes dy vendeve për të njëjtin shkak shpërtheu luftë edhe në vitet 1965 dhe 1999.
India kontrollon 45 për qind të Kashmirit ndërsa 35 për qind është nën kontrollin e Pakistanit. Kina kontrollon 20 për qind të rajonit. India, rajonet që i mori nën kontroll i bashkoi nën emrin provinca e “Xhamu Kashmirit”.
Xhamu Kashmiri, ende është provinca e vetme me popullsi shumicë myslimane në Indi. Ndërsa, Pakistani Kashmirin që e ka nën kontroll i dha status të dy rajoneve autonome “Azad Kashmir (Kashmiri i Pavarur)” dhe “Gilgit Baltistan”.
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), me vendimin e marrë në vitin 1948, parashikoi pastrimin e Kashmirit nga ushtarët dhe e ardhmja e rajonit të caktohet me referendum. India nuk është dakord me referendumin, ndërsa Pakistani dëshiron zbatimin e vendimeve të KS-OKB. Gjithashtu edhe Turqia kërkon që çështja të zgjidhet në kuadër të vendimeve të KS-OKB-së.
Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit filluan të rriten sërish para dy javësh.
Në sulmin e ndërmarrë ndaj autokolonës paramilitare më 14 shkurt në pjesën e Kashmirit që është nën kontrollin e Indisë humbën jetën 44 ushtarë indianë dhe 20 të tjerë u plagosën ku qeveria e Indisë akuzoi Pakistanin në lidhje me këtë sulm. Pakistani hodhi poshtë këto pretendime dhe përmes një deklarate dënoi sulmin.
India më 26 shkurt kreu sulm ajror ndaj kampit të organizatës Xhejsh-i Muhammed në anën pakistaneze të Linjës së Kontrollit të Kashmirit.
Tensionet mes dy vendeve mëngjesin e sotëm u shndërruan në përleshje ushtarake. Pakistani rrëzoi dy avionë luftarakë të Indisë me arsyetim se kanë shkelur hapësirën e tij ajrore. Ndërkohë edhe 3 avionë luftarakë pakistanezë hynë në hapësirën ajrore të Indisë. Mediat indiane njoftuan se ushtria indiane ka rrëzuar një avion F-16 të Pakistanit.
Pas këtyre tensioneve shumë aeroporte u mbyllën për fluturime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në të gjithë aeroportet e Pakistanit u ndaluan të gjitha fluturimet civile dhe tregtare. Pakistani njoftoi se ka mbyllur hapësirën e saj ajrore deri në një njoftim të dytë.
Ndërsa India njoftoi se ka ndaluar fluturimet nga aeroportet Srinagar, Xhamu dhe Leh të rajonit Xhamu Kashmir, nga Çandigarh qendra e përbashkët e provincave Haryana dhe Penxhap si dhe nga aeroporti Amritsar në provincën Penxhap. Sipas mediave të rajonit, avionët civilë që do të përdorin hapësirën ajrore të Pakistanit dhe Indisë, ose janë kthyer në aeroportet prej ku kanë ardhur ose janë drejtuar kah destinacionet alternative.