Profesori dhe analisti Blerim Latifi ka kritikuar mënyrën e organizimit të festës “Darka e Lamës” të shtruar dje nga Presidentja Vjosa Osmani, e që tradicionalisht organizohej nga Presidenti Ibrahim Rugova.
Ai shkroi në facebook se derisa Rugova e kishte shndërruar këtë darkë në një ritual politik të respektueshëm, tash e kanë shndërruar në një improvizim qesharak, shkruan Jepi Zë.
Me vendosjen e grumbujve të kashtës nëpër tapetin e një hoteli modern, Latifi citoi filozofin italian, Umberto Eco, i cili për të shëmtuarën thotë se “është e paparashikueshme dhe ofron një gamë të pafund mundësish”.
Postimi i plotë:
Darkën e Lamës Rugova e pat shndërruar në ritual politik të respektueshëm. Këta të tjerët e paskan shndërruar në një improvizim qesharak. Në një instalacion komik, në të cilin fokusi nuk janë prodhimet e sofrës, por kashta, e cila, në ambientin e një hoteli luksoz, na e jep ndjesinë e të shëmtuarës. E shëmtuara, thotë Umberto Eco, është e paparashikueshme dhe ofron një gamë të pafund mundësish. Për shembull: kashtën në hapësirën moderne të një hoteli.