Një ekuipazh i ri ndërkombëtar i astronautëve, duke hipur në kapsulën Crew Dragon të SpaceX, ka mbërritur në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).
Astronautët – Shane Kimbrough dhe Megan McArthur nga NASA, Akihiko Hoshide i Agjencisë Hapësinore Japoneze dhe Thomas Pesquet i Agjencisë Hapësinore Evropiane – u nisën nga Qendra Hapësinore e NASA-s Kennedy në Florida herët në mëngjes të premten.
Misioni i tyre, i quajtur Crew-2, është fluturimi i dytë i astronautëve të SpaceX për NASA, përcjell Telegrafi. Dhe astronautët nga fluturimi i parë i kompanisë, Crew-1, i prisnin ata në ISS.
Astronautët “e rinj” orbituan Tokën për gati 24 orë në anijen e tyre Crew Dragon.
Kapsula kreu një seri manovrash të automatizuara për t’u ankoruar në ISS të shtunën.
Astronautët Crew-1 bënë foto në iPhone dhe iPad e tyre para se të përqafonin astronautët Crew-2 – Shannon Walker, Victor Glover, Mike Hopkins dhe Soichi Noguchi.
“Është shumë emocionuese të kesh Crew-2 me ne sot”, ka thënë Walker në një transmetim të drejtpërdrejtë të NASA-s të një ceremonie mirëseardhjeje. “Është dashur një punë e jashtëzakonshme nga shumë ekipe të ndryshme për të na sjellë këtu”, vazhdoi ajo.
Siç bëhet e ditur, astronautët e Crew-1 do të kthehen në Tokë që të mërkurën ndërsa astronautët e Crew-2 do të qëndrojnë në ISS për rreth gjashtë muaj, duke mirëmbajtur stacionin, duke bërë riparime dhe duke kryer kërkime shkencore. Ata do të kthehen në Tokë në vjeshtë.