Një 16-vjeçare që po zhvillohet te Bayerni, ishte golashënuesja më e mirë e përfaqësueses së Kosovës në futboll në turneun në Itali. Loreta Lulaj shënoi nga një gol në të gjitha katër ndeshjet dhe e ndihmoi Kosovën të fitoi turneun “Il Calcio e’Rosa”, që përfundoi më 21 shkurt.
Kosova në ndeshjen e parë mposhti një përzgjedhje të Bolzanos, të përbërë kryesisht nga lojtare studente. Më pas fitoi ndaj një përzgjedhjeje të Lazios dhe një përzgjedhjeje të kolegjeve të Uellsit. Në finale, Kosova e mposhti përfaqësuesen e Moldavisë me shifrat 3:1.
Lulaj në ndeshjen e parë u aktivizua si zëvendësuese e në tri tjerat luajti prej fillimit. Kosova në turneun në Itali u paraqit me lojtare të grupmoshave U-16, U-19 dhe U-23. Por në përbërje ishin edhe pesë reprezentuese të rregullta të përfaqësueses A.
Në përfaqësuesen A të Kosovës shpejtë pritet të debutojë edhe Loreta Lulaj, raporton Koha.net.
“Të mërkurën më kanë kontaktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe më kanë pyetur nëse mund të grumbullohem me përfaqësuesen A për ndeshjet me Rusinë dhe Slloveninë. Duhet që fillimisht të flas me trajnerin te Bayerni, pasi në mars fillojmë me ndeshje kampionale në Bundesligë. Gjasat që të më lirojnë për ndeshjen ndaj Rusisë janë shumë të vogla, por shpresoj që të lirohem për ndeshjen ndaj Sllovenisë”, ka thënë Loreta Lulaj për Koha.net.
Kosova më 6 mars luan ndaj Rusisë në Gjermani, ndërsa më 10 mars e pret Slloveninë në Prishtinë. Janë këto ndeshje kualifikuese për “Euro 2021”.
Lulaj, që ka prejardhje nga Peja, është shumë e kënaqur me pjesëmarrjen në turneun në Itali.
“Jam shumë e lumtur që luaj për Kosovën. Më pëlqen ekipi dhe stafi i trajnerëve”, thotë futbollistja e lindur në Gjermani.
Lulaj për herë të parë e veshi fanellën e Kosovës vitin e kaluar në një turne të grupmoshës U-16 në Estoni. Gjithsej për ekipet e Kosovës i ka shtatë ndeshje e gjashtë gola.
“Një ftesë nga Federata erdhi në klubin tim dhe kështu u krijua kontakti me Kosovën. Besoj se jam në drejtim të mirë dhe shpresoj që shpejtë të luajë me ekipin A të Kosovës. Shpresoj të vazhdoj me paraqitje të mira dhe me gola”.
Lulaj aktualisht është tek ekipi U-17 i Bayernit, që garon në Bundesligën e kësaj grupmoshe. Thotë se është kapitene e ekipit. Te Bayerni luan në mesfushë, ndërsa te Kosova së fundi është aktivizuar si sulmuese krahu.
“Ka dy vite që jam te Bayerni. Më parë isha te Ingolstadti. Jam e kënaqur me zhvillimin tim dhe që luaj për një ekip të njohur si Bayerni, ku jam edhe kapitene. Motivin për futboll e kam nga motra ime. Kemi nisur së bashku, kur unë isha katërvjeçare e ajo dy vjet më e madhe. Kemi luajtur disa vite së bashku”, ka treguar Loreta Lulaj.
Lulaj dy prej golave në Itali i ka shënuar nga gjuajtjet e lira. Të tjerë gola të bukur premton për të ardhmen.