Me një fond stimulues, në vlerë të përgjithshme prej 900 mijë eurosh, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka shpërblyer 11 komuna për performancën që kanë treguar gjatë vitit 2017 për ofrimin e shërbimeve më të mira komunale ndaj qytetarëve.
Në mesin e këtyre 11 komunave të shpërblyera janë edhe katër komuna të Rrafshit të Dukagjinit; Komuna e Pejës, Istogut, Junikut dhe Deçanit, derisa komunat e tjera të këtij rrafshi nuk kanë arritur me performancat e veta të treguara vitin e kaluar që të plasohen në mesin e komunave fituese të këtij fondi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me performancën e saj më e mira nga komunat e Dukagjinit ka qenë Komuna e Junikut, e cila njëherësh ka pasur performancë më të mirë edhe në nivel të vendit. Për performancën më të mirë për shërbim ndaj qytetarëve vitin e kaluar, Komuna e Junikut është shpërblyer nga MAPL-i me 93 mijë e 550 euro.
Për performancën e saj të treguar vitin e kaluar për shërbim ndaj qytetarëve Komuna e Istogut është e radhitur si e pesta në mesin e 11 komunave dhe është shpërblyer me grantin stimulues në vlerë prej 80 mijë e 160 eurosh.