Fondacioni “Mute” në bashkëpunim me komunën e Prishtinës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës kanë mbajtur aktivitetin përmbyllës të projektit “Unë/ty, dashuri në paketë”.
Presidentja e fondacionit, Florie Bajoku, tha se projekti “Unë/ty, dashuri në paketë” predikon filantropi dhe përmes tij fëmijët mund të bëhen të ndjeshëm dhe bujar, raporton Ekonomia Online.
“Zgjimi i empatisë apo ndjeshmërisë së fëmijëve lehtëson shprehjen e kujdesit dhembshurisë. Unë ty dashuri në paktë predikon filantropi. Aktivitetet filantropike mund të jenë çelës për t’i ndihmuar fëmijët tanë të jenë më të mençur dhe më të zgjuar. Unë ty dashuri në paketë mund të ndihmoj fëmijët se si bujaria, falja e toleranca janë thelbësore për paqen dhe kuptimin njerëzor”, tha ajo.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, tha se qëllimi i këtij projekti është që të fisnikërohet shpirti i fëmijëve.
“Kur e kam dëgjuar titullin e këtij projekti është shumë përmbajtjesor dhe ju dedikohet shtresave dhe moshave më të ndjeshme. Në këtë aktivitet janë përfshirë fëmijët me moshë 0-1 dhe 4-11”.
“Këtë pako fëmijët kanë dhuruar për fëmijët e varfër dhe me nevoja të veçanta dhe përmes saj ata kuptojnë dhembshurinë. Vetitë etike janë edhe pjesë e korrikulës shkollore që ne duhet t’i transmetojmë tek fëmijët. Këtu kanë marr pjesë mbi 4 fëmijë”, tha ai.
Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak në FSK, Hajrush Kurtaj, tha se kjo mbështetje nga ushtria e vendit është bërë me kënaqësi.
“Forca e Sigurisë me kënaqësi të lartë e ka kryer këtë aktivitet. Është një punë që ushtarët e kanë bërë me kënaqësi dhe krenari të lartë”.
Projekti “Unë/ty, dashuri në paketë” u organizua për herë të tretë dhe kishte për qëllim mobilizimin e fëmijëve të moshave 4-11 vjeç për të përgatitur dhuratat e fundvitit për bashkëmoshatarët e tyre në nevojë, raporton EO.
Këtë vit u mblodhën 4 mijë dhurata nga nxënësit e shkollave të Prishtinës, nga stafi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe nga studentët e kolegjit Heimerer, të cilat me ndihmën e FSK-së u shpërndanë në familjet e varfra.
Ky është projekt humanitar dhe edukativ, që iu ofron fëmijëve mundësinë të shprehin përkujdesjen e tyre dhe dhembshurinë për fëmijët e familjeve të varfra apo ata me nevoja të veçanta, si dhe të promovojë aftësitë e fëmijëve që të bëjnë ndryshime pozitive në komunitet.
“Unë/ty, dashuri në paketë” është iniciativë e dy artisteve, Florie Bajoku dhe Irena Cahani, të cilat arritën që ta institucionalizojnë këtë projekt humanitar përmes bashkëpunimit të rregullt me komunën e Prishtinës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.