Katër persona vdiqën së fundmi në Rusi menjëherë pasi morën vaksinën kundër coronavirusit Sputnik V në raste të paraportuara më parë, të cilat po merren “seriozisht” nga rregullatori i BE-së, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) në Amsterdam.
Gjashtë rusë të tjerë gjithashtu kishin komplikime mjekësore pas marrjes së vaksinës, sipas dosjeve të brendshme të çështjes nga RosPotrebNadzor, një organ rus përgjegjës për administrimin e vaksinave, të parë nga EUobserver.
Siç thuhet më tej, përcjell Telegrafi, tre nga të vdekurit ishin gra të moshës 51, 69 dhe 74 vjeç – ndërsa e katërta nuk u identifikua në dosjet e zbuluara..
Vdekjet ishin të lidhura me zemrën, mushkëritë ose sheqerin në gjak dhe mund të mos ishin shkaktuar nga Sputnik V, tregonte dosja e dokumenteve ruse.
Ndërkohë, siç thuhet më tej, gjashtë pacientët e tjerë ishin burra dhe gra më të rinj, njëri prej të cilëve ishte vetëm 25 vjeç.
Ata pësuan një sërë simptomash, duke përfshirë vështirësi në frymëmarrje, konvulsione, ënjtje, dobësi të muskujve, presion të lartë të gjakut, dhimbje koke, marramendje dhe ethe – pas marrjes së vaksinës.
Siç shkruan më tej, EUobserver, vërtetësia e njërës prej dosjeve të çështjes RosPotrebNadzor u konfirmua zyrtarisht nga Denis Logunov, një virolog i vjetër në Institutin e Kërkimit Gamaleya të Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë në Moskë, i cili zhvilloi Sputnik V.
“Unë kërkova informacion në lidhje me këtë rast dhe… mora një përgjigje. Kjo çështje nuk është e rreme”, i tha ai EUobserver të mërkurën (7 prill), duke folur për gruan 51-vjeçare, e cila vdiq papritur pasi mori dozën e dytë të Sputnik V.
EUobserver shkruan se identifikoi në mënyrë të pavarur tre pacientë të tjerë në dosjet e rrjedhura përmes llogarive të tyre në media sociale, ndërsa një tjetër u identifikua si infermiere në një spital lokal në Ulyanovsk, një qytet në Rusinë perëndimore.
Megjithatë, nuk ishte e mundur të konfirmohen vdekjet, pasi në Rusi nuk ka regjistër të vdekjeve me burim të hapur.
Siç shkruan ky portal, Fondi Rus i Investimeve Direkte, një organ përgjegjës për eksportin e Sputnik V, nuk pranoi të komentojë. RosPotrebNadzor gjithashtu nuk iu përgjigj pyetjeve të EUobserver.
Por nga ana e saj, EMA, e cila aktualisht po kontrollon Sputnik V për miratim në të gjithë BE-në, konfirmoi se kishte parë gjithashtu dosjet e çështjes RosPotrebNadzor.
Këto u dërguan në rregullatorin e BE-së nga një rus, i cili kërkoi të mbetet anonim, në vend se përmes kanaleve normale, sipas një emaili nga një zyrtar i EMA i datës 26 mars dhe i parë nga kjo faqe në internet.
“Ne mund të konfirmojmë që të gjitha raportet trajtohen seriozisht nga EMA dhe vlerësohen drejtpërdrejt”, ka thënë një zëdhënëse e EMA për EUobserver të enjten, duke iu referuar dosjeve të RosPotrebNadzor mbi vdekjet dhe ndërlikimet e tjera.
Numri i përgjithshëm i rasteve (10) në dosjet e zbuluara ishte i vogël krahasuar me miliona njerëz që ndiheshin mirë pasi morën Sputnik V.
Por mungesa e transparencës së Rusisë, si dhe shqetësimet për standardet e saj të dobëta të mbledhjes së të dhënave, shtruan pyetjen nëse kishte raste të tjera të pa raportuara atje.