Rusët nuk duan të vaksinohen me Sputnik V, rriten masivisht rastet me Covid-19

Prishtinë | 28 Qer 2021 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

Edhe pse Rusia pretendon se është shteti i parë në botë që ka prodhuar një vaksinë kundër COVID-19 e njohur si “Sputnik V”, vetë qytetarët rusë janë ata më skeptikët në botë për ta marr këtë vaksinë, çka ka shkaktuar shtimin progresiv të rasteve të reja që nga fillimi i vitit.

Aktualisht vaksinat janë të disponueshme për të gjithë qytetarët që kanë dëshirë të imunizohen, por vetëm 11 për qind e rusëve prej 146 milionë banorë kanë marrë një dozë të kësaj vaksine. Kjo shpjegohet me idetë konspirative që janë shumë të përhapura në vend, por edhe skepticizmin ekstrem rus.

Një sondazh i kryer nga Qendra e pavarur ruse e Hulumtimeve “Levada Center”, tregon se gati dy e treta e qytetarëve nuk janë të gatshëm të vaksinohen me “Sputnik V” dhe se mbi gjysma prej tyre nuk kishin frikë nga COVID-19 dhe e konsideronin atë “një kërcënim të nxitur mediet dhe qeveritë”, më tepër sesa një kërcënim real dhe serioz.

Vetëm përgjatë dy ditëve të fundit janë regjistruar më shumë se 20 mijë raste të reja me COVID-19, çka ka shtyrë Kremlinin që të zbatojë një sërë masash shtrënguese për ata që nuk pranojnë të marrin vaksinat.

Që prej ditës së hënë për t’u ulur në lokalet apo restorantet e Moskës dhe qyteteve të tjera të mëdha do të duhet të kesh një kod QR të faturës elektronike të vaksinimit. Spitalet nuk do të trajtojnë individë që nuk janë të vaksinuar me përjashtim atyre që kanë nevojë për kujdes dhe ndërhyrje urgjente. Janë mbyllur hapësirat publike janë mbyllur dhe të gjithë punonjësve të sektorit publik u janë caktuar orare për të marrë dozën e tyre.

Rregullat e reja janë parë si diktatoriale nga shumëkush.

Vetë presidenti Vladimir Putin ndryshe nga shumë liderë perëndimorë nuk ka zgjedhur të fotografohet kur ka marrë dozën e tij të vaksinës kundër COVID-19, çka gjithashtu mund të ketë kontribuar në shtimin e skepticizmit për marrjen e vaksinës.

Ashtu si çdo gjë tjetër në Rusi, rregullat e reja kanë krijuar hapësirë për korrupsion. Raportohet se mjekët që kanë për detyrë të plotësojnë regjistrin me të vaksinuarit kanë filluar të plotësojnë në mënyrë fiktive emrat me ata që japin ryshfet në mënyrë që të kenë certifikatë vaksinimi, pa e marrë dozën e vaksinës. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme