Katër përpunues të drurit nga Kosova pjesë e Panairit të mobileve në Gjermani

Prishtinë | 13 Jan 2017 | 16:01 | Nga

Panairi Ndërkombëtar i Mobileve IMM (International Mobel Messe) në Kolonjë të Gjermanisë është ngjarja më e madhe BMB dhe panairi tregtar më i madh për prodhuesit e mobileve dhe interierëve në Evropë. Panairi fillon më 16 janar deri më 21 janar të vitit 2017 në Kolonjë, Gjermani.

Shoqata e Përpunuesve të Drurit në Kosovë (ShPDK) dhe kompanitë e përpunimit të drurit do të marrin pjesë dhe do t’i promovojnë produktet e tyre në Panairin e Mobileve IMM në Kolonjë të Gjermanisë me mbështetjen e EMPOWER Sektori Privat të USAID-it, në partneritet me Sida – (Styrelsen för Internationellt Utvecklingssamarbete).

Industria e përpunimit të drurit ka bërë përparim të madh në Kosovë në vitet e fundit. Kompanitë kosovare tani i furnizojnë me produktet e tyre si tregun vendor, ashtu edhe tregjet ndërkombëtare siç janë: Gjermania, Holanda, Zvicra, Luksemburgu dhe vendet e tjera fqinje, raporton Ekonomia Online.

Mundësitë e tregut të arritshëm përmes këtij panairi përfshijnë shitësit me shumicë/distributorët e mëdhenj, zinxhirët e shitjes me pakicë dhe kontraktorët. Kjo është një ngjarje tejet e rëndësishme për çdo prodhues të mobileve apo interierëve që synon të eksportojë në Evropë.

Në Panairin IMM në Kolonjë produktet e tyre do t’i ekspozojnë katër kompani të përpunimit të drurit nga Kosova (“Binni”, “Palma”, “Albed” dhe “Graniti”). Vitin e kaluar, EMPOWER e ka bashkëfinancuar vizitën e disa kompanive në këtë panair, reagimet për të cilën kanë qenë tejet pozitive. Për këtë arsye, ShPDK, me mbështetjen e EMPOWER, e ka sponsorizuar pjesëmarrjen në edicionit e vitit 2017 të këtij panairi – megjithatë, këtë herë, si ekspozues.

EMPOWER Sektori Privat i USAID-it është projekt pesëvjeçar që është krijuar për ta stimuluar krijimin e vendeve të punës në shkallë të gjerë duke e shtuar aftësinë konkurruese të firmave kosovare. Ky projekt realizohet nga Cardno Emerging Markets USA, Ltd.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme