Katër qeveritë teknike në Shqipëri të ndryshme

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 10:23 | Nga

Kush e mendonte. Sistemi ra. Vija e partisë mund të shkelej si pasojë e katastrofës që kaploi gjithë vendin. Dështim në politikë, katastrofë në ekonomi dhe mungesë shprese në vigjilje të viteve 90’. Komunizmi mbahej thjesht për inerci, por duhej një lëvizje e butë për të kaluar në tjetër formë qeverisjeje. Shenjat e para u dhanë me krijimin e “Qeverisë së Stabilitetit”.

Data shënon 11 qershor 1991, vendin e kryeministrit të fundit komunist Adil Çarçani, e zuri Ylli Bufi. U soll si një frymë e re dhe me shpresë se mund të bënte mrekullinë, por që në mbledhjen e parë dha deklaratën befasuese, por të vërtetë.

“Edhe gjashtë ditë bukë ka vendi, situata është e rëndë”-tha ai para anëtarëve të kabinetit, ndërsa një kamera e televizionit të vetëm në vend, fiksoi deklaratat e tij, për tu përhapur më pas në publikun e përhumbur. Disfata ishte e paralajmëruar, por më shumë se një gjetje për të mbajtur ende në këmbë sistemin komunist, qeveria e stabilitetit ishte shenja e parë se vendi po shkonte drejt demokracisë. Por nuk lëshohej kollaj. Disa syresh në Byronë Politike, tentonin ende të tregonin “dhëmbët”, ndonëse të thyer nga gjendja fatale që po kalonte Shqipëria. Për ta vlente më shumë shprehja: “edhe barë do hamë edhe gjak do derdhim, por parimet nuk i shkelim”.

Protestat e punëtorëve, grevat e shumta dhe demonstratat në disa qytete të vendit hiqnin çdo ditë nga një gur në “kalanë” e vjetër ku ende strehohej sistemi totalitar.

Komunizmi dhe qeveritë teknike

Shigjetat e qytetarëve të pakënaqur kishin vetëm një objektiv dhe ajo ishte qeveria komuniste, që në atë kohë drejtohej nga Adil Çarçani, një zyrtar i vjetruar edhe në ide, që vështirë të dinte të bënte llogarinë e thjesht se gjithçka kishte marrë fund. Më ndryshe kuptohej situata nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Punës së Shqipërisë Ramiz Alia, që në kushte të tilla tentonte të gjente një zgjidhje të mesme, ku ithtarët e komunizmit t’i mbante të krekosur, por nga ana tjetër tu jepte një hov qoftë edhe të vogël, ekuilibrit të shtetit, që nga çasti në çast rrezikonte edhe përballjen e dhunshme. Për herë të parë komunistët lëshuan duke ofruar krijimin e një qeverie të quajtur “Qeveria e Stabilitetit”, shkruan revista mapo.al.

Gati i dorëzuar ende pa filluar, Bufi kërkoi ndihmë edhe nga jashtë për këtë katastrofë që ishte vendi. Rezervat e shtetit u prekën, ndërsa ato pak të ardhura në dollarë firuan shpejt për të siguruar ushqimet bazë për popullsinë. Pa mbushur gjashtë muaj në detyrë, “Qeveria e Stabilitetit” ra, dhe për më shumë nuk solli stabilitetin e pritur, në destabilitetin që tashmë ishte mbjellë kudo. Lajmet për burokratët e nomenklaturës së vjetër nuk ishin të mira as në frontin ndërkombëtar. Thuajse të gjithë vendet e Europës Lindore njëri pas tjetrit po shembeshin, diku në mënyrë paqësore në vende të tjera me destabilitet të plotë dhe përdorim të armëve. Edhe Shqipëria fort e vogël në globin e madh të botës komuniste, mund të kthehej në një zonë ku veç varfërisë mund të kishte edhe viktima. Për pak ditë “Qeveria e Stabilitetit” mbushte gjashtë muaj, por rrethanat nuk ia lanë të “festonte” as gjysmë viti nga krijimi i saj. Vendi ziente dhe nuk kishte rrugë tjetër përveçse një sistemi të ri.

Edhe më nostalgjikët e komunizmit tashmë po bindeshin se pushteti u ish shkërmoqur në këmbë dhe nuk mbeti gjë tjetër përveçse ta lëshonin, pa jetë të humbura. Mbi idenë e ndryshimeve të buta drejtim e vendit e merr kryeministri Vilson Ahmeti i cili u caktua për  krijimin e qeverisë teknike më 18 dhjetor 1991. Objektivat ishin të qarta për të krijuar terren e kushteve të favorshme për zgjedhjet e parakohshme të parashikuara për tu zhvilluar më 22 mars 1992. Sondazhet thuajse ishin të panevojshme për të kuptuar nga do anonte pushteti. Më shumë se program qeverisë ofrohej frymë për ndryshim e premtuar nga Partia Demokratike, opozita e parë e mirëfilltë që pas instalimit të pushtetit komunist në vend, nga viti i largët 1945.

Pas pesë muaj qeverisje, Vilson Ahmeti lëshoi detyrën më 13 prill, duke i lënë stafetën Aleksandër Meksit, ndërsa në krye të presidencës shkoi Sali Berisha, që i mundësonte të mbante edhe pushtet ekzekutiv. Stabilitet fitoi vendi, por demokracia e shumëpritur nuk mbërriti. Zgjedhjet e 26 majit 1996 u kontestuan fort nga opozita dhe ndërkombëtarët si të parregullta dhe nën ndikimin e dhunës. Muajt e tensionuar të verës së vitit 1996 ngjanin me një “libër” të pashkruar ende, por me para hyrje të përcaktuar se Shqipëria mori udhën e destabilitetit. Pasi opozita bojkotoi  parlamentin duke mos njohur zgjedhjet, vendi ku gatuheshin ligjet ngjante me ato të diktaturës, ku i vetmi përfaqësues i opozitës së majtë ishte mjeku Sali Rexhepi, që theu vendimin e partisë për tu kthyer në një dekor absurd. Krizës politike i shtohet një problem social me lindjen e sistemit piramidal. Këtu nisi kthesa e madhe që të shpinte në greminë.

Teknikët e “luftës” dhe paqes

Mijëra familje shqiptare humbën kursimet e tyre e nxitja e revoltave të dhunshme dhe sulmi hapur ndaj qeverisë dhe ish-presidentit Sali Berisha nuk mund të evitoheshin. Mllefi ishte i madh, ku situata kaloi totalisht jashtë çdo kontrolli dhe parashikimi. Skemat piramidale prekën pjesën më të madhe të popullsisë, ndërsa qeveria ende mbahej, duke tentuar të vinte diktatin e saj. E pamundur në situatën kaotike të fundit të vitit 1996 dhe fillimit të 1997-ës. Hapja e depove ushtarake dhe pajisja e popullsisë me armë kaloi vendin në kolaps total. Qeveria e Partisë Demokratike tashmë kishte humbur jo vetëm kontrollin në vend, por edhe moralin mbi çështjen e skemave piramidale, që nuk mundi t’i ndalonte në kohë, paçka se organizmat e huaja kishin bërë thirrje herë pas herë që t’i mbanin nën kontroll.

Depresioni i madh popullor për shkak të humbjes së kursimeve në firmat piramidale dhe dalja në skenë e bandave të armatosura thuajse në të gjithë vendin, e kthyen buzë-pranverën e vitit 1997 në një dimër të “acartë”, që nuk dihej ku do e kish fundin. Politika mblidhet edhe një herë për të krijuar një lloj stabiliteti, ndërsa në Tiranë mbërritën ndërkombëtarët mjaft të shqetësuar për gjendjen katastrofike që kalonte Shqipëria. Në fund, në mars të vitit 1997 u arrit marrëveshja për krijimin e qeverisë së re dhe zgjedhje të parakohshme. Kryebashkiaku socialist i Gjirokastrës Bashkim Fino u pa si emri konsensual për të drejtuar qeverinë e re. U quajt “Qeveria e Pajtimit Kombëtar”, që detyrën kryesore kishte të mbante situatën nën kontroll, për të mos agravuar deri në një konflikt të armatosur civil. Partia Demokratike thuajse e pati të parashkruar që zgjedhjet do i humbiste dhe në qershor të vitit 1997 pushteti merret nga e majta.

Tetë vite drejtuan vendin socialistët dhe aleatët e tyre, me ikje-ardhjet e shumë politikanëve që iu dha mundësia të provonin postin kryeministror. Pas dy mandatesh të plota, PS-ja e drejtuar nga Fatos Nano humbi zgjedhjet, duke rikthyer në pushtet PD-në, e cila priste në opozitë që pas trazirave të vitit 1997. Lideri i PD-së Sali Berisha i mbijetoi çdo furtune në parti dhe jashtë saj. Për dy mandate u bë kryeministër i vendit, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2013 humbi, kjo edhe pas bashkimit të së majtës PS dhe LSI. E majta rimerr drejtimin e vendit, dhe thuajse koncepti për krijimin e qeverive teknike dukej sikur i përkiste vetëm historianëve dhe kur Rama doli fitues në vitin 2013, pak njerëz, ose aspak mund ta kishin menduar se do ekzistonte mundësi për qeverisje teknike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017. Nuk dëgjoheshin zbrazje kallashnikovësh në rrugë, as frymë për përmbysjen e sistemit totalitar. Shkak u bë çadra e ngritur në bulevard nga ana e opozitës së drejtuar nga Lulzim Basha. Fillimisht u përbuz, pastaj u injorua dhe në fund u pranua. Opozita vendosi ultimatum se pa krijimin e kushteve të favorshme nuk do merrte pjesë në zgjedhje.

Largimi sipas saj i trafikantëve të drogës, mospërfshirja e administratës shtetërore në fushatë dhe ikja e Edi Ramës ishin kushte të panegociueshme. Për tre muaj vendi kaloi në kaos politik, me përplasje të forta mes palëve. Rrëshqitja drejt tensionit trembi edhe ndërkombëtarët që u vetë-ofruan për tu paraqitur politikanëve tanë kushte të marrëveshjeve politike. Kryeministri Edi Rama i gjendur para alternativës për të shkuar në zgjedhje pa opozitën, apo për të lëshuar diçka, vendosi të përzgjedhë opsionin e dytë. Në qeverinë Rama bëjnë pjesë gjashtë ministra dhe zëvendëskryeministre të propozuan nga PD-ja. Qeveria e re teknike zuri vend pas marrëveshjes Rama-Basha më 18 maj. Në 27 vitet e fundit vendi ka njohur katër qeveri teknike në kohë e situata të ndryshme. Zgjedhjet asnjëherë nuk janë pranuar nga forcat politike që dalin të humbura. Këto të 25 qershorit mund të shënojnë edhe “habinë” e madhe, që zgjedhjet të njihen, për më tepër varianti i një bashkëqeverisje mes PS dhe PD në mandatin e ardhshëm nuk është më blasfemi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme