Katër të lënduar nga zjarri në Veternik, ankesa për vonesën e zjarrfikësve

Prishtinë | 09 Kor 2016 | 00:00 | Nga

Katër persona janë lënduar në Veternik të Prishtinës, pasi një ndërtesë në rrugën “Rilindja” u kaplua nga zjarri.

Mes të lënduarve janë tre banorë të ndërtesë dhe një zjarrfikës që mori lëndimin derisa po intervenonte për ta shuar zjarrin.

Ende nuk ka një version zyrtar, por po dyshohet, sipas banorëve, se zjarri ka ardhur nga oxhaku i furrës aty afër.

Shaqir Agushaj, pronar i ndërtesës ka treguar për Klan Kosovën se si ka ndodhur ngjarja.

“Zjarri ka ardhur shkaku i nxehtësisë së oxhakut të furrës dhe jo nga diçka tjetër, kur e kam parë zjarrin kam thirrur menjëherë zjarrfikësit dhe policinë”, ka thënë Agushaj.

Ai, por edhe banorë të tjerë, janë ankuar në reagimin e ngathtë të zjarrfikësve.

“Zjarrfikësit kanë ardhur me kohë, por shkallët i kanë sjellë shumë vonë, pas një ore, atëherë kur zjarri vetëm kaploi edhe kulmin”.

Policia nuk ka dhënë ndonjë version zyrtar se nga çka konkretisht është shkaktuar zjarri dhe as detaje të tjera për rastin.

Të ngjashme