Katër të vrarë nga sulmi ajror i ShBA-së në Somali

Prishtinë | 29 Pri 2019 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Një i afërm i njërës prej viktimave ka thënë se katër njerëz janë vrarë pasi forcat amerikane e kryen një sulm ajror në qytetin somalez të Afgoyes.

Shtetet e Bashkuara kryejnë shpesh sulme të tilla që kanë cak militantët islamikë në Bririn e Afrikës. Këto sulme e kanë ndihmuar forcimin e pozicionit të qeverisë së mbështetur nga Kombet e Bashkuara dhe luftën e saj kundër luftëtarëve të grupit “Al Shabaab”, të cilët janë të lidhur me Al Kaidën.

Të afërmit thanë se Abdiqadir Nur dhe tre persona tjerë vdiqën rreth orës një e tridhjetë minuta përderisa ishin duke udhëtuar me veturë në fshatin Laanta Buuro, 45 kilometra larg kryeqytetit Mogadishu.

Komanda amerikane për Afrikën njoftoi se e ka kryer një sulm ajror të hënën dhe se tre militantë janë vrarë në këtë aksion.  “Jemi të vetëdijshëm për raportimet se janë vrarë civilë. Ne do t’i shqyrtojmë të gjitha informatat për këtë incident, përfshirë të dhënat që ofrohen nga palët e treta”, tuhet në deklaratën e forcave amerikane.

Grupi “Al Shabaab” ishte dëbuar nga Mogadishu në vitin 2011, por ka prani të konsiderueshme në pjesët jugore dhe qendrore të Somalisë. Ata duan që në këtë shtet të zbatohet ligji i Sheriatit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Të ngjashme