KB Rahoveci ka reaguar ashpër me anë të një deklarimi publik në faqen zyrtare pas një baneri transparent të shfaqur në ndeshjen derbi të regjionit ndaj KB Yllit në Suharekë.
Derbi i cili përfundoi në të mirë të therandasve me rezultat 99-86, pati episode të pahijshme nga tifozët.
Në fillim të takimit gjatë intonimit kombëtar dhe gjatë ndeshjes u shpalos një baner me mbishkrimin “Made in Bugaria” në drejtim të mysafirëve nga Rahoveci, teksa gjatë gjithë ndeshjes u dëgjuan kore të organizuara “Ju jeni shkije”. E gjithë kjo ndodhi në sy të komesarit të garave, Faton Kurshumlia, i cili nuk ndërmori asnjë veprim.
Ndaj këtyre sjelljeve ka reaguar KB Rahoveci, që citon marrëdhënien e shkëlqyer mes dy kryesive, por jo edhe të transmetuar te tifozët, të cilët kanë shfaqur sjellje të pahijshme dhe raciste.
KB Rahoveci ka kërkuar edhe masa nga federata për këtë baner racist.
Mbetet të shihet nëse FBK do të ndërmarrë ndonjë vendim disiplinor, por në raste të tilla sipas rregullave të FIBA-s ekipi vendas mund të dënohet me dënimin maksimal, humbje 20-0 në tavolinë.